Presidentja e Bullgarisë, Ilijana Jotova, e dënoi djegien e dy automjeteve diplomatike para Ambasadës së Bullgarisë në Shkup, duke e vlerësuar atë si një incident të paprecedentë. Ajo tha se e përjeton incidentin si një sulm ndaj Bullgarisë.
“Incident i paprecedentë. Djegia e automjeteve diplomatike është sulm ndaj shtetit bullgar, unë personalisht e shoh si sulm ndaj Bullgarisë”, tha Ilijana Jotova.
Kjo deklaratë e presidentes bullgare vjen pasi autoritetet në Maqedoni, Qeveria dhe Ministria e Jashtme ashpër e dënuan aktin vandal, ndërsa që dje kryerësi u arrestua.
E sot, edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, e dënoi ashpër incidentin, duke theksuar se dhuna nuk do të lejohet dhe as tolerohet.
“Personi i cili dyshohet për djegien e automjetit është identifikuar shumë shpejt dhe është siguruar nga MPB, në bashkëpunim me Agjencinë për Siguri Kombëtare, edhe ata ishin të kyçur në dhënien e informacioneve kyçe për këtë vepër penale. Me aq sa unë kam informacione nga kryeshefi i SPB-Shkup, konsideroj se prokurori këtë do ta procedojë me procedurë të përshpejtuar, andaj gjatë ditës do të ketë komunikatë nga Prokuroria dhe Gjykata për hapat e mëtejmë”, tha Pançe Toshkovski.
Lidhur me motivet e incidentit, ministri tha se në këtë moment nuk mund të ndajë më shumë informacione, por shtoi se procedura është në zhvillim e sipër dhe po zhvillohet sipas procedurave ligjore.
