Joseph: Putini përfiton nga mungesa e stabilitetit në Ballkan

TË FUNDIT

Edward Joseph, ligjërues në Universitetin për Studime të avancuara Ndërkombëtare “John Hopkins”, dhe njohës i zhvillimeve në Ballkan, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë vlerëson në mënyrë indirekte se pushtimi rus në Ukrainë paraqet kërcënim edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Është kërcënues (pushtimi rus ndaj Ukrainës) në mënyrë indirekte. Shumë njerëz janë të brengosur, sidomos në Bosnjë, nga një luftë e befasishme. Nuk mund ta përjashtoni atë. Nuk mund të thoni se nuk do të ndodhë. Ose, se aspak nuk do të ndodhë ndonjë konflikt në Kosovë. Kështu që, mundet të ndodhë”.

“Madje, ndikimi rus dhe objektivat ruse janë të përmbushura edhe pa luftë. Putini nuk fiton në Ballkan vetëm nëse ka luftë të re. Jo, Putini fiton me këtë ‘status quo’. Putini fiton duke ruajtur mungesën e stabilitetin në këtë rajon”, thotë Edward Joseph, duke nënvizuar se për presidentin rus, Vladimir Putin, paraqet fitore dhe bllokimi i procesit të integrimeve siç thotë në “kushte kur ky proces nuk shkon përpara, por lëviz prapa”.

“Putini thotë shikoni, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës as që mund ta rregullojnë këtë kaos. Njerëzit humbin interesim. E kam patjetër të potencoj edhe këtë se Vladimir Putini fiton kur aleatët e tij si Aleksandar Vuçiq dhe Rumen Radev fitojnë. Kështu që, kur ata janë të fuqishëm, atëherë ai është fitues”.

“Serbia është vendi i vetëm në Evropë që ende nuk i ka vënë sanksione Rusisë. Kjo paraqet fitore për të. Air Serbia fluturon për në Moskë. Kjo, gjithashtu, është dhe një fitore. Putini duhet të jetë i izoluar, ndërsa Serbia nuk e izolon. Ministri i Punëve të Jashtme do të takohet me Lavrovin…. Kështu që kjo është edhe një mënyrë se si fiton Putini”, vlerëson Joseph, njohës i zhvillimeve në Ballkan.

I pyetur rreth injorimit nga ana e Serbisë ndaj kërkesave të BE-së dhe SHBA-së që ta harmonizojë politikën e saj të jashtme me politikën perëndimore dhe të zbatojë sanksione ndaj Rusisë, Joseph thotë:

“Mendimi im është se është plotësisht e qëndrueshme për Aleksandar Vuçiqin që të mbrojë këtë pozicion. E para, e shikoni se sa muaj e ka këtë pozicion ai [Vuçiqi]. A shikoni ndonjë aksion, reaksion? Jo. A e shihni se është rritur vetëbesimi në Beograd? Po”.