Jorezistente ndaj zjarrit dhe pa sistem zjarrfikës, Bajrami: Spitalet modulare nuk janë të sigurta

TË FUNDIT

Shpejtësia me të cilën u dogj spitalit modular në Tetovë tregon edhe cilësinë e ndërtimit, se nuk ka pasur sistem kundër zjarrit dhe materiali nuk ka qenë zjarrdurues, e kjo sipas inxhinierit Nexhat Bajrami tregon se spitalet modulare nuk janë të sigurta.

 “Pas ngjarjes tragjike, edhe për deri sa kontraktori nuk siguron specifikim për ta dëshmuar rezistencën ndaj zjarrit materiale, teknikisht unë deklaroj se të gjitha objektet e ndërtuara sipas principit të ngjashëm nuk janë të sigurta”, tha Nexhat Bajrami – inxhinier.

Përveç lëshimeve në dokumentacionin e tenderimit, është shkelur edhe ligji për ndërtim i cili thotë:

LIGJI PËR NDËRTIM NENI 3

“Kërkesat kryesore për ndërtim i referohen qëndrueshmërisë mekanike, stabilitetit, mbrojtje seizmike, mbrojtje kundër zjarrit, mbrojtje sanitare dhe shëndetësore”.

Bajrami ka kontrolluar dokumentacionin tenderik të spitalit modular në Shkup, ku në asnjë vend nuk  tregon se është përdorur material rezistent ndaj zjarrit.

 “Lëshimin më të madh e shoh tek dokumentacioni tenderik ku në asnjë vend dhe në asnjë pikë nuk parashihet përdorim i materialeve rezistuese ndaj zjarrit apo zjarrdurues. Për ndërtimin e objekteve modulare përdoren “sandviç panel” mirëpo dallim të madh ka ndërmjet llojeve të ndryshme varësisht prej materialit i cili është përdorur”, shtoi inxhinieri Nexhat Bajrami.

E pas tragjedisë në Tetovë, Kryeministri Zoran Zaev thotë se janë shtuar kontrollet në spitalet modulare, që ngjarje të tilla të mos përsëriten.

 “Para se gjithash është me rëndësi a është i gjithë sistemi i vendosur mirë, cilat kanë qenë dobësitë e sistemit dhe prej tyre të mësojmë të mos lejojmë që të përsëriten ngjarje të tilla. Edhe prej kësaj tragjedia kemi marr mësim. Po bëhen kontrolle shtesë në spitalet modulare nga ana e Inspektoratit Shëndetësorë dhe do të jenë nën mbikëqyrjen e tyre”, deklaroi kryeministri Zoran Zaev.

Në vend janë ndërtuar 19 spitale modulare për të shtuar kapacitetet spitalore në luftën kundër Covid-19. Mangësitë se këto spitale janë me material jo rezistues ndaj zjarrit dhe nuk kanë sistem për zjarrfikje dolën në pah pas djegies së spitalit modular në Tetovë që u mori jetën 14 personave.