Kryeministri britanik Boris Johnson e ka paralajmëruar presidentin rus Vladimir Putin se çdo veprim destabilizues nga Rusia kundër Ukrainës do të ishte “gabim strategjik” me “pasoja domethënëse”.
Zëdhënësi i kryeministrit Johnson tha se gjatë një bisede telefonike me Putinin më 13 dhjetor është thënë se Britania është e përkushtuar për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
Johnson ka “shprehur shqetësimin e thellë të Mbretërisë së Bashkuar lidhur me grumbullimin e forcave ruse në kufirin e Ukrainës dhe ka ripërsëritur rëndësinë e shtensionimit të situatës përmes kanaleve diplomatike dhe për identifikimin e një zgjidhjeje të qëndrueshme”.
Komentet e Johnsonit janë të ngjashme edhe me shqetësimet e shprehura nga ministrat e Jashtëm të grupit të shtatë vendeve më të industrializuara, lidhur me grumbullimin e ushtrisë ruse në kufi me Ukrainën. Ministrat e G7-ës kanë bërë thirrje për zgjidhje të tensioneve përmes formave diplomatike.
Mediat ruse kanë cituar Kremlinin të ketë thënë se Putini dhe Johnsoni janë pajtuar për të vazhduar bisedimet përmes kanaleve të ndryshme.
Biseda ndërmjet Johnsonit dhe Putinit vjen në kohën e rritjes së tensioneve midis Rusisë dhe Ukrainës. Zyrtarët në Kiev kanë shprehur shqetësimin për një pushtim të mundshëm rus.
