'Jo Zajednicës' i thotë edhe Ferizaji

TË FUNDIT

Drejtues të Lëvizjes “Vetëvendosje” në një tribunë mbajtur në Ferizaj kanë ripërsëritur se nënshkrimi i hedhur në Bruksel nga qeveritarët e Kosovës për krijimin e Asociacionit të komunave serbe është i dëshmim pasi shtetin e vendos në një pozitë inferiore karshi kësaj kreatura pasi, siç e kanë quajtur, “Zajednica” është një mbivendosje mbi shtetin e Kosovës dhe duke qenë e këtillë është e dëmshme për shqiptarët.

Ndër tjerësh liderë të këtij subjekti politik kanë kërkuar nga populli një kundërshtim të fuqishëm qytetar, për të vetmin qëllim, shpëtimin e shtetit, pasi ky shtet me një kreaturë që do t’i mbivendoset nuk do të mund të jetë shtet funksional.

Nënkryetari i Prishtinës, Dardan Sejdiu ka përimtuar para ferizajasve aspekte që ndërlidhen me marrëveshjen, duke prekur pikat më qenësore që janë të dëmshme për shtetin e Kosovës.

Ndër tjerash Sejdiu është ndalur te çështjet e ekonomisë dhe ato sociale dhe resurset natyrore, si fusha mjaft me interes ku dëmet mund jenë tejet të mëdha, pasi ka gjasa që të ketë një veprim bllokues për shfrytëzimin e tyre nga pjesa tjetër, pra nga shqiptarët që me këtë marrëveshje janë qytetarë të rendit të dytë, sikundër janë edhe pakicat tjera që nuk përmendet askund në teksin e marrëveshjes.

Liderët e VV-së kanë fajësuar kryeministrin Mustafa dhe ekipin e tij, duke kërkuar të jetë kryeministër i mirëfilltë duke tërhequr nënshkrimin nga marrëveshja ose duke u vettërhequr nga posti që mban, për shkak të paaftësisë së tij për të drejtuar shtetin.

Shefi i grupit parlamentar në Kuvendin e Kosovës, Glauk Konjufca ka theksuar se “Zajednica” çon drejt bosnjizimit të Kosovës, ku kontrollin mbi të e ushtron Beogradi. Sipas tij, Serbia ka punuar 16 vite për të arritur këtë qëllim, duke organizuar njerëzit e saj për të mbajtur vendin e ndarë.

“Tash edhe me ndihmën e politikanëve tanë e kanë arritur marrëveshjen për krijimin e “Zajednicës”, e cila është shumë më keq se një nivel i tretë i pushtetit në Kosovë, sikur një shtet paralel brenda shtetit tonë. “Zajednicën” nuk kemi kurrfarë mundësie ta kontrollojmë dhe rrjedhimisht kjo nuk ka nevojë t’i jap ndonjë llogari Prishtinës zyrtare”, ka thënë Konjufca.

Ndërsa kryet ari i Lëvizjes “Vetëvëndosje” Visar Ymeri ka vënë në dukje se marrëveshjen e 25 gushtit i është hapur rruga krijimit të këtij asociacioni që nuk do të jetë OJQ, siç është thënë, por që do të ketë strukturat udhëheqëse të saj, sikur që i ka shteti dhe se me këtë do të ketë kompetenca ekzekutive.

Imeri ka folur edhe pikat e veçanta të marrëveshjes, duke vënë theksin në njërën prej tyre që rregullon kthimin e serbëve të zhvendosur, por që në asnjë rast nuk përmendet kthimi i mijëra shqiptarëve të zhvendosur në pjesën jugore të Mitrovicës apo gjetiu.

Njëjtë, sipas Ymerit është edhe me rastin e zgjedhjes së drejtorit rajonal të policisë, pasi marrëveshje diskriminon tjerët për të ushtruar këtë post.

Aktivistë të Lëvizjes VV dhe qytetarë të pranishëm në këtë tryezë më pas kanë shtruar pyetje për liderët. Ndërsa me të përfunduar tryeza jashtë Teatrit të qytetit “Adriana” është zhvil luar një performancë, në të cilën kryetari i qendrës së VV në Ferizaj, Emrush Xhemajli përmes megafonit u është drejtuar qytetarëve për të kundërshtuar Zajednicën. Me këtë rast është shpalosur edhe një pankartë me mbishkrimin “Ferizaj nuk e pranon Zajednicën”.