Nën slloganin “Jo në emrin tim”, marsh protestues në sheshin Skënderbeu në Shkup në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, pas aktgjykimit dënues të Gjykatës Speciale. Përfaqësues të familjarëve të dëshmorëve e cilësuan të padrejtë vendimin e Gjykatës së Hagës ndaj krerëve të UÇK-së.
Ata thane se UÇK-ja luftoi për mbrojtjen e popullit shqiptar në Kosovë dhe se viktima nuk duhet të dënohet, ndërsa agresori të mbetet në hije. Teuta Ajeti Bekteshi ish e burgosur politike deklaroi se është hipokrizi dënimi i çlirimtarëve të Kosovës në emër të popullit.
“Gjykatat eksperimentale të njëanshme që fshehin mohojnë dhe sulmojnë me të gjitha mjetet dhe mënyrat që të zhbëjnë të vërtetën, janë të padrejta”, tha Teuta Ajeti Bekteshi, ish e burgosur politike.
Në përkrahje të marshit protesutues Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, nga Shkupi tha se shqiptarët nuk mund t’i dënojnë çlirimtarët e tyre. Ahmeti kërkoi angazhim më të madh diplomatik nga Kosova dhe Shqipëria duke paralajmëruar se aktivitetet do të vazhdojnë në Kosovë dhe në hapësirat ku jetojnë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
“Të gjithë këto marshe që bëhen, bëhen në drejtim të mesazhit për këtë gjykatë, në veçanti për prokurorinë, për një vendim skandaloz dhe terësisht politik”, theksoi Ali Ahmeti.
Rafiz Aliti nga këshilli organizativ i protestës e konsideron gjykimin e ish krerëve të UÇK-së pa argumente dhe fakte andaj kërkon që kërkesë t’u bëhet edhe eurodeputetëve me qëllim zhbërjen e saj.
“Nuk mjafton vetëm iniciativa e deputetëve dhe institucioneve të shtetit të Kosovës për zhbërjen e gjykatës speciale përmes dhomave të specializuara e njejtja kërkesë duhet të drejtohet edhe eurodeputetëve dhe institucioneve të Bashkimit Evropian në mënyrë që kjo çështje të ngrihet edhe në parlamentin evropian dhe nëpërmjet një inciative të përbashkët për zhbërjen e saj”, tha Rafiz Aliti nga Këshilli Organizativ.
Nga këshilli organizativ i protestës paralajmëruan se pas protestës në Shkup, aktivitetet do të shtrihen në të gjithë vendin, ndërsa u bënë thirrje edhe partive politike t’u bashkohen protestave, duke theksuar se, bëhet fjalë për çështje kombëtare dhe jo politike.
