Muaji i Ramazanit për familjen Bajrami, fillon pa një kulm mbi kokë.
Astrit Bajrami, bashkëshortja e tij Merhemja dhe tre fëmijët, deri para 6 muajve kanë jetuar në shtëpi me qira, por ngaqë nuk kishin para ta paguanin, mbetën në rrugë.
Në ndihmë u doli pronari i një hoteli në periferi të Shkupit, duke i strehuar në një dhomë, po edhe këtu vetëm për 6 muaj, andaj do të duhet të largohen, por nuk kanë se ku të shkojnë.
“Nuk kemi pasur financa për të paguar qiranë, domethënë ishim jashtë, por falë pronarit, na futi brenda për 6 muaj. Tani e kam djalin të sëmurë me epilepsi, vajzën e kam me astmë, vajzën e vogël prej zemrës”, tha Merheme Bajrami.
Përveç fëmijëve, keq me shëndetin është edhe Astriti, i cili është i operuar dhe tregon se mjekët i kanë rekomanduar që të mos punojë.
“Gjakun e kam shumë të dobët më kanë thënë mjekët, tensionin shumë poshtë, por për shtëpi është shumë vështirë, për një kulm është shumë vështirë, marrim një ndihmë sociale me atë jetojmë.
-Më herët a keni pasur ndonjë shtëpi ku keni banuar? Asnjë kulm mbi kokë nuk ka pas “nanadem-babadem” edhe unë nuk kam pasur”, pohoi Astrit Bajrami.
Për shkak se dhoma e hotelit është e vogël, vajza e madhe 14 vjeçe qëndron te shtëpia e gjyshërve.
Fëmijët nuk mund të shkojnë në shkollë sepse e kanë larg shumë, ndërsa nuk kanë para për transport.
Të ardhurat e vetme mujore i kanë ndihmën sociale që nuk u del as për ilaçe.
Ata që duan ta ndihmojnë këtë familje për ta siguruar një kulm mbi kokë mund t’i kontaktojnë në numrin 071 604 738.