Kryeministri Dimitar Kovaçevski, së bashku me liderët e Ballkanit Perëndimor, morën pjesë dhe diskutuan sot në Sesionin për stabilitetin e energjisë dhe transformimin në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit në Gjermani, ku kryeministri tha se Republika e Maqedonisë së Veriut është vendi i parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor që miraton Strategjinë për zhvillimin e sektorit të energjisë bazuar në shtyllat e Marrëveshjes së Gjelbër të BE-së.
“Ne jemi gjithashtu vendi i parë që zbaton një projekt për zëvendësimin e termocentralit të vjetër me qymyr në “Oslomej” të Kërçovës me një termocentral fotovoltaik, si një hap konkret drejt tranzicionit energjetik të Maqedonisë së Veriut, duke treguar një iniciativë të fortë për dekarbonizimin të sektorit tonë të energjisë. Do të përmend edhe projektin tonë më domethënës për tranzicionin energjetik, në fazën e vlerësimit është ndërtimi i hidrocentralit pompues depozitues “Çebren”, Crna Reka, në vlerë prej më shumë se 800 milionë euro”, tha Kovaçevski.
Për realizimin e planeve të planifikuara, tha kryeministri Kovaçevski, nevojitet mbështetje e madhe përmes granteve në dispozicion dhe kredive të favorshme për projekte të reja dhe të punohet në plane efektive për një tranzicion të drejtë me praktikat më të mira në dispozicion.
“Transformimi i energjisë në tranzicionin drejt burimeve të pastra të energjisë, si dhe krijimi i një sistemi që do të mundësojë ekonomi rezistente ndaj klimës, është investimi ynë në të ardhmen”, theksoi Kovaçevski.
