Jehona e protestës studentore arrin në BE dhe NATO! Mickoski dhe Osmani me ankesa te partnerët ndërkombëtarë

TË FUNDIT

Jehona e protestës së studentëve ka arritur deri në  qarqet më të larta të bashkësisë ndërkombëtare. Kryeministri i vendit Hristijan Mickoski tha se protesta e studentëve nuk duhet të politizohet, por t’i lihet në duar profesionistëve juridik dhe për këtë arsye ka njoftuar NATO-n dhe BE-nw me pretendimin që opozita shqiptare po përpiqet të shkaktoj destabilizim, por ndërkombëtarët nuk kanë reaguar për këtë situatë.

 “Dje pamë një numër të madh të aktivistëve dhe funksionarëve të lartë të partive opozitare, të cilët ishin në protestë, duke i dhënë konotacion politik. Për këtë çështje ne i kemi informuar aleatët tanë në NATO dhe BE për tentim të opozitës në një farë mënyre të bëj destabilizime dhe mendoj se kjo nuk gjeti miratim nga përfaqësuesit e lartë të bashkësisë ndërkombëtare”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.

Edhe nga opozita shqiptare thonë se kanë informuar aleatët ndërkombëtarë. Nënkryetari i BDI-së Bujar Osmani shkruan se ka njoftuar BE dhe NATO për interpretimet e pasakta mbi opinionin për Komisionin e Venecias.

 “Sot informova përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar mbi përpjekjet e Qeverisë për të paraqitur në mënyrë të shtrembëruar natyrën e protestave studentore, duke i etiketuar ato si të motivuara partiakisht dhe duke krijuar një perceptim të pasaktë për realitetin në vend. Theksova se këto përpjekje për të orientuar gabimisht partnerët ndërkombëtarë nuk reflektojnë shqetësimet reale të studentëve, të cilat lidhen drejtpërdrejt me zbatimin e të drejtave ekzistuese”, u shpreh Bujar Osmani, Nënkryetar i BDI-së.

Edhe socialdemokratët kanë reaguar lidhur me çështjen e mos-zbatimit të gjuhës shqipe në gjyqësor. Nënkryetarja e LSDM-së Jovanka Trençevska tha se VMRO ka rihapur disa çështje të mbyllura.

 “Frymëzuesit kryesor të gjitha këtyre ndasive janë pikërisht Mickoski dhe Qeveria. Dëgjuam në media se do të lajmëroj në NATO dhe BE kundër opozitës, por ja propozojmë së pari ai duhet të denoncohet sepse ai e destabilizon gjendjen në shtet. Këto çështje ishin të mbyllura që nuk debatohej në kohën e kaluar dhe derisa qeveria e Mickoskit është në pushtet sërish hapen çështje për ndasi”, tha Jovanka Trençevska, Nënkryetare e LSDM-së.

Ndonëse Kryeministri Mickoski tha se ekipi i ekspertëve kushtetues po punojnë në gjetjen e një zgjidhje për kushtetutshmërinë e dygjuhësisë në sistemin e drejtësisë, përkatësisht të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, nga ana tjetër partneri qeverisës i VLEN, Kasami tha se ekipi do formohet këto ditë.

 “Për momentin grupet e punës ende nuk janë formuar dhe besoj se këto ditë do të formohen grupet e punës, të cilët do të punojnë për ofrimin e zgjidhjes të kësaj problematike. Garancia ka qenë publike nga kryeministri se e kanë të drejtën e plotë studentët e drejtësisë, të cilët fakultetin e kryejnë në gjuhen e tyre amtare edhe provimin e jurisprudencës ta japin në gjuhën shqipe”, u shpreh Bilall Kasami, Kryetar i Besës nga VLEN .

Ndryshe në këtë mes, kërkesa bazë e studentëve, zbatimi i të drejtave gjuhësore, mbetet ende pa një zgjidhje konkrete, ndërsa paralajmërimet për formimin e grupeve të punës tregojnë se procesi mund të zgjasë, duke e mbajtur çështjen të hapur edhe në periudhën në vijim.