Për herë të parë në Shkup, vikendin e ardhshëm do të organizohet “Paradës së krenarisë”. Organizatorët shpresojnë që në ditën e marshit ata nuk do të kenë asnjë provokim dhe incident. Çdo pjesëmarrës në marsh do të marrë një hallkë e cila do të jetë garanci se mund të lëvizë lirshëm brenda dhe jashtë sipërfaqes së shënuar të marshit.
“Do të mblidhemi në parkun e Gruas në ora 11 ndërsa marshi do të fillojë saktësisht në mesditë. Do të marshojmë drejtë parkut të qytetit dhe do të përfundojmë në guacën tek parku i qytetit ku do të ketë program me fjalime nga aktivist lokal dhe rajonal, përfaqësues të institucioneve, do të ketë fjalim edhe ministrja Carovska, gjithashtu do të ketë edhe program muzikor”, tha Jovana Jovanovska nga Skopje Pride.
Nga Bordi Ogranizativ, Skopje Pride thonë e kanë marrë përkrahje të madhe për këtë marsh, ndërsa paralajmëruan se të pranishëm për t’i mbështetur do të jenë edhe shumë funksionarë politik.
“Në organizmin e kësaj parade kemi përkrahje edhe nga pushteti ligjvënës dhe ai ekzekutiv. Veç më kemi paralajmërim se një pjesë e deputetëve dhe ministrave do të marrin pjesë në paradë. Në paradë do të marrin pjesë edhe miqtë tanë nga komuniteti LGBT nga Greqia, Kosova, Shqipëria, Bullgaria, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali Zi e të tjerë”, u shpreh Antoni Mihajllov nga Skopje Pride.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë që janë të gatshëm që kjo ngjarje të kaloj pa asnjë incident dhe të vijojë në mënyrë më të mirë.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që ngjarja të kaloj në mënyrë më të qetë dhe të mirë të mundshme. Çfarëdo lloj tentimi për dhunë do të sanksionohet në mënyrë më të rreptë. Ne e kemi e treguar këtë deri tani dhe do ta themi përsëri se kësi lloj të ngjarjeve do t’i sigurojmë në nivelin më të lartë”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Toni Angellovski.
Koço Andonovski nga Bordi organizativ tha se presin që në marsh marrin pjesë 200 deri në 500 njerëz, duke shtuar se ky do të jetë një numër i mjaftueshëm për paradën e parë të organizuar. Parada e krenarisë organizohet për herë të parë në Shkup e cila do të mbahet me 29 qershor. Maqedonia e Veriut dhe Bosnja Hercegovina janë ndër vendet e vetme ku deri tani nuk janë organizuar parada të këtilla.
Përgatiti: Valmira Zendeli
