Javën e ardhshme bisedime për strategjinë evropiane! Mickoski: Problemi me transportuesit do të tejkalohet nga muaji i ardhshëm

TË FUNDIT

Javën e ardhshme qeveria e Maqedonisë do të ulet në negociata me BE-në për të përcaktuar rregullat se si strategjia evropiane do të funksionojë për transportuesit që të kryejnë pa pengesa punët e tyre. Zgjidhja e ashtuquajturës strategji evropiane u dha dje pas disa ditëve bllokadash në kufijtë drejt vendeve të zonës Shengen. Deri tani nuk janë vlerësuar ende sa dëme do të shkaktojnë këto bllokada, por njëkohësisht kjo mund të ndikojë ndjeshëm edhe në ekonomitë e vendeve anëtare të Unionit. Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se është mirë që pati një reagim nga të gjithë transportuesit në rajon, por shpjegon se problemet ende nuk janë tejkaluar plotësisht, pasi mbetet e hapur çështja e përcaktimit të kuotave për çelik.

“Është e rëndësishme që problemi është identifikuar, është e rëndësishme që ka disa zgjidhje të mundshme dhe pres që të katalizohet një zgjidhje me të cilën do të tejkalohet ky problem, por këtu nuk ndalen problemet; më pas janë kuotat për çelikun. Pra, ka probleme vazhdimisht, problemet janë këtu dhe do të zgjidhen. Sa i përket transportuesve, ky problem duhet të tejkalohet për transportuesit dhe mendoj se zgjidhja po shihet dhe pres që brenda muajit të ardhshëm, d.m.th. muaji shkurt, puna të përfundojë”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.

Strategjia e re për viza nga Komisioni Evropian nënkupton se shoferët e kamionëve do të konsiderohen si kategori profesionale e punëtorëve. Nga shoqata “Makamtrans” njoftuan se paralajmërimet për viza për transportuesit zgjidhin problemin dhe informuan se bllokadat do të ndërpriten.

“Komisioni Evropian ka marrë vendim për të miratuar një strategji të re për viza që do të thotë zgjidhje e problemit me të cilin u përballën shoferët profesionistë për qëndrimin 90 në 180 ditë. Duke qenë se është marrë konfirmimi që prisnim për ndryshime, ju informojmë se protesta e organizuar nga shoqata “Makamtrans” në pikat kufitare do të ndërpritet”, thonë nga MakamTrans”.

Edhe transportuesit serbë njoftuan se sot ndërpresin bllokadat, dhe një vendim i tillë, siç raporton gazeta Blic Biznes, u mor pas një takimi të përbashkët të shoferëve të Serbisë me kolegët e tyre nga Bosnja dhe Hercegovina.