Java e dytë e bojkotit të mësimit në Vaksincë! Prindërit me peticion kërkojnë largimin e arsimtares së anglishtes

TË FUNDIT

Hyjnë në javën e dytë të bojkotit të mësimit nxënësit në Shkollën fillore “Rilindja” në Vaksincë. Në vend të fëmijëve të tyre, objektit të disperzuar periferik të kësaj shkolle në Komunë të Likovës, ia mësynë prindërit e tyre. Ata kanë shqetësimin se nuk po i mëson fare arsimtarja e gjuhës angleze S.S. dhe kanë dilema se për gjendjen e saj shëndetësore.


Ne e pritëm në shkollë për ta pyetur, por ndërhyri bashkëshorti i saj, me profesion doktor neurolog, për të cilin prindërit kanë dyshimin se ai ka falsifikuar raportet mjekësore nga Spitali i Kumanovës, me të cilat ajo vazhdoi me punë.

“20 vite punon siç e di, por sjelljen çfarë të them, ashtu siç e pa edhe vet, burri saj si reagon!”, tha Burim Bajrami – shërbëtor i Shkollës së Vaksincës.

Ndonëse prej shumë vitesh e punësuar aty, prindërit thonë se muajve të fundit, ka eskaluar situata, ku përveç aftësive të dobëta në anglisht, fëmijët kanë nisur të shfaqin shenja të traumave në shtëpi. Arsimtarja, sipas raportit policorë SPB Kumanovë, në vjeshtë zhdukur
dhe pas gjetjes ka marr dy pushime mjekësore, njëri prej të cilit me diagnozë neurologjike.

“Ngjarja e fundit që i ka nxit të gjithë prindërit të reagojnë në këtë mënyrë ka qenë edhe vet ikja e mësuese nga shkolla, e cila ka marr drejtimin e panjohur dhe pas 24 orëve është gjetur përmes intervenimit policorë. Njësitë për intervenim të shpejtë është gjetur në fshatin Runicë që është larg nga këtu dhe e njëjta po atë ditë ka hapur pushim mjekësor dhe deri më 31.12.2025 ka qenë në pushim mjekësor”, u shpreh Fitim Miftari – prind.

Rreth 100 nxënës nga klasa e parë deri në të pestën vazhdojnë të mos vijojnë mësimin, ndërsa peticioni i firmosur nga prindërit kërkojnë që ta largojnë nga puna arsimtaren e gjuhës angleze. Ata kërkojnë një kontroll sistematik shëndetësor në bazë të Nenit 19 të Ligjit për mësimdhënës.

“Asnjë përgjigje nga Këshilli i prindërve! Çdo ditë e kërkojmë në mbledhje por ai nuk ka përgjigje. Bojkoti ka filluar nga dita e fillimit të gjysmëvjetorit dytë dhe nuk ka asnjë reagim, kemi bërë ankesë te Avokati i popullit, te drejtori i shkollës, te Inspektorati arsimit, asnjë përgjigje. Ne kemi kërkuar që personi në fjalë ta kryej kontrollin psikologjik në Shkup, por këto e dërgojnë nëpër institucionet në Kumanovë. E sjellin një vendim, i cili për neve është i pa bazë vendimi dhe ne nuk kemi garanci e as siguri që t’i besojmë atij vendimi të Kumanovës”, potencoi Ilir Avdili – priind.

Përgjigjen që e morëm prapa kamerave nga bashkëshorti i saj ishte që nisma e banorëve është e organizuar politikisht, duke insistuar se raportet mjekësore të Kumanovës janë relevante. Klasat vazhdojnë të jenë bosh, por prindërit nuk heqin dorë nga bojkoti siç thonë, për çështje sigurie.

“Shqetësimi është se edhe vajzat kanë shfaqur një lloj frike, nuk ndjehen të sigurta dhe gjatë njësisë mësimore. Mësuesja në fjalë nuk zhvillon mësim por i shtynë fëmijët të bëjnë tjetër lëndë si vizatim të artit figurativ dhe ne si prind kërkojmë zgjidhje te institucionet.
A jeni të shqetësuar vetëm për shkak të anomalive në mësim apo për çështje të sigurisë?
Më shumë për çështje të sigurisë prandaj edhe jemi tubuar”, theksoi Arsim Misini – prind.

Drejtori i Shkollës qendore “Rilindja” në fshatin ngjitur në Llojan tha se ankesat do të shkojnë në shkallë të dytë në Inspektoratin e Arsimit në Shkup, dhe ata do ta konstatojnë nevojën për një komision të formuar nga niveli qendror për vazhdimin e kontratës së punës së arsimtares S.S.

“Prindërit kanë kërkuar dhe ne do ta bëjmë këtë! Ne kemi pritur t’i kompletojmë dokumentet dhe në bazë të tyre do t’i dërgojmë në Shkup, ata vetëm se janë të informuar në këtë drejtim por kërkojnë dokumentacion. Ne do t’i çojmë e ata e kanë për detyrë të i përgjigjen kërkesës sonë.
Në çfarë afati?
Ne nesër e dërgojmë në Inspektoratin e arsimit në Shkup dokumentacionin, por edhe peticionin e firmosur nga prindërit. Ne nëse nuk i kemi të kompletuara dokumentet nuk mund të bëjmë asgjë”, deklaroi Idriz Sulejmani – drejtor i Shkollës Fillore “Rilindja” – Llojan.

Komunikuam edhe me kryetarin e Komunës së Likovës Erkan Arifi, i cili na tha se përmes Sektorit të arsimit komunal është intervenuar në organet kompetente relevante dhe pritet që çdo vendim i tyre të zbatohet nga komuna. Deri sa të zgjidhet lëmshi, fëmijë mbeten pa mësim.