Analisti nga Beogradi, Dushan Janjiq, vlerëson se paralajmërimet e Beogradit për arrestimin e kryediplomatit kosovar Hashim Thaçit nëse ai hyn në Serbi, mund të rezultojnë edhe me fundin e SPS-it, rrjedhimisht edhe të kryediplomatit serb Ivica Daçiq.
Janjiq thotë se Daçiq nuk mund të jetë edhe pro-evropian edhe trim milosheviqian, duke aluduar se një mendësi e tillë mund të pëlqehet nga Rusia, por nuk i kontribuon të ardhmes së Serbisë e stabilitetit të Ballkanit.
“Nga koha e Millosheviqit e këndej nuk ka pasur përparime të mëdha. Ne tani kemi në Qeveri njerëz nga epoka e Millosheviqit, të cilët mundohen t’u përshtatën Evropës, mirëpo të cilët kanë shumë shprehi të vjetra si p.sh. propagandë të madhe”, ka thënë ai.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës dhe Hashim Thaçi me mjeshtëri kanë vepruar në tërë këtë situatë.
“Ajo çfarë është më e rëndësishme është fakti se disa politikanë pavarësisht që janë në gjendje të puthen me Hashim Thaçin, të përshëndeten, të arrijnë marrëveshje, kur kthehen në fshatrat e tyre, pra në Serbi, janë shumë të gatshëm të rrahin gjoks në mënyrën Millosheviqiane. Mendoj se në tërë këtë aferë më së shumti e ka pësuar Ivica Daçiq, i cili ka dëshmuar mungesë parimesh njerëzore”.
Janjiq thotë se Daçiqi vjen në Prishtinë, sillet shumë komod e s’e ka asnjë problem, e përnjëherë kthehet në Beograd dhe tregon fytyrën tjetër të keqe.
“Unë pres një riformatim të Qeverisë të Serbisë dhe pres që ata që më shumë e duan Rusinë sesa Serbinë e Ballkanin – të shkojnë në Qeverinë e Moskës. Më mirë është kjo sesa ata ta dërgojnë serbët e Serbinë në një aventurë të panjohur”. /RTK/
