Ministrja e Arsimit Vesna Janevska njoftoi se këshillat arsimorë nuk do të kenë më të drejtë të përmirësojnë notat përfundimtare, siç ka qenë praktika deri më tani. Sipas modelit të ri, nxënësi që mendon se është vlerësuar padrejtësisht me notë më të ulët, ka të drejtë të paraqesë ankesë dhe të testohet nga një komision.
“Bëhet fjalë për ata nxënës që kanë të gjitha pesëshe dhe një katërshe. Deri tani, zakonisht, këshilli i mësimdhënësve e ngrinte katërshe në pesëshe, që nxënësi të dilte me sukses të shkëlqyeshëm. Tani kjo nuk ndodhë. Nxënësi ka të drejtë të ankohet dhe të thotë: kam mësuar gjithë vitin, kam pesëshe, katërshe, tresh… nuk e di si ndodhi, por e kam merituar pesëshe. Komisioni duhet ta testojë për të gjithë materialin mësimor”, tha Vesna Janevska – ministre e Arsimit dhe Shkencës.
Procedura e re funksionon kështu: Pas shpalljes së notës, nxënësi ka 3 ditë afat për të paraqitur ankesë. Shkolla formon një komision me tre mësimdhënës. Nxënësi testohet në të gjithë materialin e vitit. Nota që jep komisioni është përfundimtare dhe zëvendëson notën paraprake.
PROCEDURA E ANKESËS
HAPI SHPJEGIMI
- Ankesa Brenda 3 ditëve
- Komisioni Tre mësimdhënës
- Testim Në të gjithë materialin
- Nota përfundimtare Zëvendëson notën paraprake
Nga LSDM reagojnë ashpër. Ata thonë se kjo është goditje ndaj profesionit të mësimdhënësit dhe nënçmim i profesionalizmit të tyre.
“Vë në pikëpyetje profesionalizmin e mësimdhënësve, duke sugjeruar se ata nuk dinë të vlerësojnë drejt, dhe madje paralajmëron që do t’ua heqë të drejtën këshillave arsimorë për të vendosur për suksesin e nxënësve – gjë që bie ndesh me ligjin”, u shpreh Jovançe Manaskov nga LSDM.
Ndërkohë, risi tjetër që paralajmëroi ministrja Janevska lidhet me regjistrimin e nxënësve të shkollave të mesme, i cili nga viti i ardhshëm do të bëhet në mënyrë tërësisht elektronike përmes një sistemi të integruar të lidhur me ditarin elektronik.
“Që nga 1 shtatori, kur do të fillojmë përdorimin masiv të ditarit të ri elektronik – versioni i përmirësuar i ditarit aktual – është parashikuar që shkollat, përmes këtij sistemi, të kenë të lidhura të gjitha dokumentet e nevojshme për regjistrimin e nxënësve”, shtoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
Kjo do të thotë se prindërit dhe nxënësit do të regjistrohen elektronikisht, ndërsa të gjitha dokumentet e nevojshme – si dëftesat, diplomat dhe certifikatat – do të tërhiqen automatikisht nga sistemi. Kështu eliminohet nevoja për dorëzim fizik të dokumenteve si dhe mundësia për aplikim në disa shkolla njëkohësisht.