Vizat e emigrantëve për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë prioritare për Qeverinë tonë dhe qytetarët – thotë ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, pas vendimit të djeshëm të partnerit tonë strategjik, SHBA, për të ndaluar përpunimin e vizave të emigrantëve për qytetarët e 75 shteteve, përfshirë edhe Maqedoninë. Bëhet fjalë për një pauzë të procedurave që lidhen me vizat e emigrantëve – shpjegon Mucunski.
“Në lidhje me çështjen e vizave të emigrantëve, është e saktë që fillon një pauzë. Ne jemi në komunikim edhe me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Shkup, ambasada jonë në Uashington komunikon me Departamentin amerikan të Shtetit, dua të theksoj se sipas informacioneve tona nga konsullata, numri më i vogël i aplikimeve që ka në vendin tonë janë aplikime për këtë lloj vizash dhe përgjithësisht bëhet fjalë për qytetarë nga një kategori më e moshuar. Kështu që komunikojmë edhe për çështjen e vizave të emigrantëve, dhe theksoj se për të gjitha llojet e tjera të vizave nuk ka asnjë kufizim. Për vizat e emigrantëve do të gjejmë një zgjidhje të përshtatshme”, tha Timço Mucunski, Ministër për Punët e Jashtme.
Mucunski tha se për arsye konfidencialiteti nuk mund të tregojë sa qytetarë tanë kanë aplikuar për vizat e emigrantëve për SHBA në këtë moment. Nëse jeni sipërmarrës, student ose dëshironi të ndiqni Kampionatin Botëror si turist, vendimi nuk do të ndikojë – thotë ministri. Ai gjithashtu paralajmëroi një surprizë në politikën e vizave të SHBA për Maqedoninë.
“Lërini pak kohës, lërini komunikimit tonë, duke pasur parasysh se kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me partnerin tonë strategjik, dhe ja çfarë mund të them: në periudhën e ardhshme, ndoshta edhe në gjashtë muajt e ardhshëm, do të habiteni pozitivisht nga ajo që mund të ndodhë në zhvillimin e politikës së vizave të SHBA për vendin tonë, dmth do të fillojmë të mbyllim çështje që për 20 vjet kemi tentuar t’i zgjidhim”, tha tha Timço Mucunski, Ministër për Punët e Jashtme.
Partia opozitare LSDM, nga ana tjetër, akuzon – Qeveria po ndjek politikë anti-BE dhe anti-amerikane që e çon Maqedoninë drejt izolimit të plotë.
“Rrethi i Mickoskit e ka vendosur Maqedoninë në rang me Somalinë. Vendimi i fundit i SHBA është që Maqedonia të përfshihet në pezullimin e përpunimit të vizave së bashku me 75 shtete të tjera, përfshirë Somalinë, Sirinë, Ganën, Ruandën, Butanin, Nigerinë, Iranin, Rusinë”, tha Jon Fërçkoski, Anëtar i Këshillit Ekzekutiv të LSDM-së.
Nga LSDM thonë se paniku është i madh. SHBA sjell ligj special për Ballkanin Perëndimor, i drejtuar direkt kundër krimit dhe korrupsionit. Pasojnë edhe listat e zeza, dhe paralajmërohen mundësi për sanksione – thonë nga partia.
