Janë paguar avanse për sigurimin e vaksinave, Zaev: Dokumentet të deklasifikohen që opinioni të dijë detajet

TË FUNDIT

Dokumenti me të cilin opozitarja VMRO-DPMNE akuzonte se ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, ka dashur të blejë vaksina me çmime dyfish më të larta, në fakt është pagesë për rezervimin e vaksinave, thonë nga Antikorrupsioni. Shtojnë se këtë dokument e kanë marrë nga Banka popullore dhe se përmes kompanisë Stabri Internacional është kryer pagesa e 7.8 milion dollarëve, por se për raportin e plotë për këtë rast, së shpejti do të informojnë.

“Ministria nuk ka paguar avans personit fizik për blerjen e vaksinave kineze, por në fillim të këtij viti ka kryer pagesë të mjeteve në emër të garancisë me qëllim që të kryhet rezervim i sasisë së plotë prej 200 mijë dozave të vaksinave nga prodhuesi Sinofarm nga Kina”, deklaroi Goran Trpenovski.

Pas kësaj, Qeveria në koordinim me Qeverinë e Kinës përmes ambasadës kineze vendosi që ta ndërpres procesin e blerjes dhe ka kërkuar t’i kthehen mjete. Sot kryeministri Zoran Zaev i cili u vaksinua pikërisht me vaksinën e Sinofarm, konfirmoi se janë bërë përpjekje përmes pagesës së garancisë të sigurohen vaksinat, por i hodhi poshtë akuzat se çmimi i vaksinave ka qenë dyfish më i lartë.

“Çmimet janë të njohura për të gjithë në botë që i blejnë. Për të gjithë shtetet tjera edhe të Evropës edhe në fqinjësi, edhe në botë, ata janë çmimet e njëjta edhe për ne. Nëse ekziston mekanizëm për deklasifikimin e dokumenteve , ne do ta bëjmë atë si Qeveri, përkatësisht institucionet përkatëse, që të mundet Ministri i shëndetësisë t’i publikojë të gjithë detajet, si dhe të gjithë përpjekjet për garancinë”, u shpreh kryeministri Zoran Zaev.

200 mijë dozat e para të vaksinës së prodhuesit kinez Sinofarm, arritën në Maqedoni javën e kaluar.