Urimet për fitoren e Sigal Prishtinës nuk kanë të ndalur. Presidentja Jahjaga, ministri Shala por dhe krerët e partive politike po e cilësojnë këtë fitore të Prishtinës si historike.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka uruar Sigal Prishtinën për shpalljen kampion i Ligës Ballkanike.
Përmes Facebook-ut, e para e vendit ka shfaqur shpresën dhe bindjen se kjo kupë është e para në vargun e shumë të tjerave që do të vijnë.
“Urime Sigal Prishtina! Kupa e parë në vargun e shumë tjerave”, ka uruar Jahjaga.
Urime për këtë fitore të Prishtinës ka bërë edhe ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala.
Ai e ka cilësuar këtë fitore si historike për basketbollin dhe sportin kosovar.
“Ky është një hap i jashtëzakonshëm dhe historik i basketbollit dhe sportit kosovar. Njëherësh, ky triumf i Sigal Prishtinës dëshmon edhe për cilësinë që mbretëron në vendin tonë”.
“Ministri Shala, po punon intensivisht në krijimin e kushteve dhe infrastrukturës së përgjithshme, për avancimin, afirmimin dhe integrimin e sportit kosovar në planin ndërkombëtar”, thuhet në komunikatën lëshuar nga MKRS.
Urime për këtë fitore kanë bërë edhe ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, kreu i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, etj.
