Jahjaga mbajti fjalim në Kuvendin e Shqipërisë(FOTO)

TË FUNDIT

Në kuadër të vizitës së saj dy ditore në Shqipëri, presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga ka mbajtur edhe një fjalim pasditen e sotme në Kuvendin e Shqipërisë. Presidentes Jahjaga iu bë një pritje e ngrohtë dhe ceremoniale në Kuvend, me buqeta me lule, plot duartrokitje.

Seanca nisi me një urim mirëseardhje nga kryetari i Kuvendit Ilir Meta.
Gjithsesi më herët gjatë ditës kryeministri e ka pritur në një takim të veçantë Jahjagën në ambientet e Kryeministrisë, por kjo e sotmja ishte e parë vizitë zyrtare e presidentes së Kosovës në vendin tonë, edhe pse më herët ka pasur takime mes qeveritarëve tanë.

Në sallën e Parlamentit për nder të presidentes kosovare nuk mungoi as Presidenti Bujar Nishani, të gjithë deputetët e majtë dhe të djathtë, mediat, por edhe ambasadorët e akredituar në vend.

Në këtë seancë jo të zakonshme mungonte kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Bashkë me kryeministrin Rama, munguan edhe disa nga ministrat e kabinetit të tij qeveritar: Nasip Naço, Klajd Gjosha, Damian Gjiknuri, Mirela Kumbaro, Blendi Klosi, Arben Ahmetaj, Milena Harito, Lefter Koka, Edmond Panariti.