Izraeli nis push’timin tokësor të Libanit!

TË FUNDIT

Nata më e ashpër në përplasjen me Izraelin ka nisur për Libanin, me trupat ushtarake që janë tërhequr herët nga disa pozicione në kufirin jugor të vendit, ndërkohë që sulmi i Tel Avivit edhe përmes tokës ka nisur gjatë mbrëmjes.

Forcat e Armatosura izraelite (IDF) caktuan më parë një zonë pranë kufirit me Libanin si “zonë ushtarake të ndaluar”. Siç tregohet në një hartë të lëshuar për publikun, zona përfshin komunitetet e Metula, Mishgav Am dhe Kfar Giladi, në Izraelin verior.

Vendosja e kësaj mase është firmosur nga kreu i Komandës Veriore të IDF-së, Ori Gordin. “Ushtria izraelite sqaron se hyrja në këtë zonë është rreptësisht e ndaluar”, nënvizon Gordin.

Izraeli po ashtu ka informuar Uashingtonin për operacionet tokësore “në shkallë të kufizuar” në Libanin jugor, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA.

“Ata na informuan se aktualisht po kryejnë operacione tokësore në shkallë të kufizuar që synojnë infrastrukturën e Hezbollahut pranë kufirit”, shpjegoi Matthew Miller.

I pyetur nga gazetarët nëse ai mund të konfirmonte se këto ishin operacione tokësore “të shkallës së kufizuar”, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha: “Ky është mirëkuptimi ynë”.

Ushtria izraelite po ashtu ka lëshuar urdhra evakuimi për disa zona në periferitë jugore të Bejrutit. Në njoftimin e tyre thuhet se civilët në ndërtesa specifike në lagjet Lilac, Haret Hreik dhe Burj Al-Barajneh duhet të largohen menjëherë.

“Ju ndodheni pranë interesave dhe objekteve që i përkasin Hezbollahut terrorist dhe për këtë arsye IDF do të veprojë kundër tyre me forcë”, thuhet në deklaratë.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite në gjuhën arabe Avichay Adraee postoi një hartë së bashku me njoftimin, duke treguar ndërtesat që do të godasin.

Sakaq mediat libaneze raportojnë se artileria e rëndë e Tel Avivit ka goditur qytetet kufitare në jug të Libanit këtë mbrëmje. Njësitë e lëvizshme të artilerisë izraelite janë fotografuar duke gjuajtur predha nga Izraeli verior drejt Libanit, në një pozicion pranë kufirit mes tyre.

Ndërkohë, OKB-ja kundërshton çdo pushtim tokësor nga forcat izraelite në Liban, siç deklaroi më herët zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm Antonio Guterres.

“Ne nuk duam të shohim asnjë lloj pushtimi tokësor”, tha Stephane Dujarric, duke përsëritur thirrjen për depërshkallëzimi të situatës, për një armëpushim dhe duke shprehur shqetësimin për pasojat humanitare të sulmeve në Liban.

Më shumë se 10,000 paqeruajtës të misionit të OKB-së në Liban (UNIFIL/Finul) nuk mund të patrullojnë më për shkak të intensitetit të luftimeve. “Duke pasur parasysh intensitetin e shkëmbimit të raketave, trupat jakë blu nuk mund të patrullojnë”, shpjegoi ai, duke theksuar se ata mund të vëzhgonin situatën vetëm nga pozicionet e tyre.

I pyetur për mundësinë e tërheqjes së forcave paqeruajtëse nga Libani në rast të një përshkallëzimi të ri të situatës, përfaqësuesi nuk pranoi të “spekulojë”. Ai tha, megjithatë, se ekziston një plan emergjence nëse është e nevojshme.

“Ne jemi duke monitoruar zhvillimin e situatës orë pas ore”, shtoi ai, duke sqaruar se disa pjesëtarë të stafit civil të UNIFIL-it janë larguar dhe janë nisur drejt veriut./A2CNN