Izraeli arrestoi Greta Thunberg, u ndalua ndihma me ilaçe dhe ushqime për Palestinën

TË FUNDIT

Disa nga pjesëmarrësit në fushatën e fundit për ndihmë ndaj Palestinës thanë se do të fillojnë grevë urie nëse ndalohen.

Autoritetet izraelite njoftuan se aktivistët në bord, përfshirë edhe Greta Thunberg, janë të sigurt dhe po transferohen drejt Izraelit, duke publikuar edhe një video nga ngjarja.

Flotilja ndërkombëtare “Sumud” përbëhet nga mbi 40 anije civile me rreth 500 persona dhe ka për qëllim të thyejë bllokadën detare të Izraelit.

Ministria e Jashtme e Izraelit tha se “disa anije” janë “ndaluar në mënyrë të sigurt” dhe pasagjerët janë dërguar në një port izraelit. “Greta dhe miqtë e saj janë të sigurt dhe shëndoshë”, shtoi zëdhënësi. Në video shihet Thunberg teksa qëndron në kuvertë, ndërsa i jepet një shishe ujë dhe një mantel shiu.

Flotilja kishte injoruar thirrjet për t’u kthyer prapa, ndërsa organizatorët deklaruan se ndalimi ishte i paligjshëm, pasi ndodhi në “ujëra ndërkombëtare”, rreth 80 milje larg bregut.

Anijet u nisën nga Barcelona dhe pritej të mbërrinin këtë mëngjes, të shoqëruara nga anije ushtarake të NATO-s.

Protesta shpërthyen në Itali dhe Turqi për shkak të trajtimit të flotilës.

Sindikata më e madhe në Itali bëri thirrje për një grevë të përgjithshme nesër, duke theksuar se “sulmi ndaj anijeve civile që transportonin qytetarë italianë përbën një çështje jashtëzakonisht serioze”.

Ministria e Jashtme e Turqisë e cilësoi ndalimin nga Izraeli si një “sulm” dhe “akt terrori” që rrezikon jetët e personave në bord.

Ndërkohë, Gaza po përballet me një mungesë të rëndë ushqimi për shkak të luftës së ashpër të Izraelit. Agjenci ndërkombëtare, përfshirë OKB-në, e kanë akuzuar Izraelin për pengimin e qëllimshëm të furnizimeve – akuza që Izraeli i mohon.

Megjithatë, ndihmat që mbante flota përbëjnë vetëm një sasi simbolike ushqimesh dhe ilaçesh.