Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 8 majit, VMRO-DPMNE në disa raste është shprehur e gatshme që të ftojë si partner në Qeveri, koalicionin VLEN. Por ndonëse ende nuk kanë përfunduar zgjedhjet, në opinion flitet se VMRO dhe VLEN tanimë kanë filluar të ndajnë resorët. Ndonëse Izet Mexhiti në intervistën për Nacionalen nuk përmend resorë, kjo media ka shkruar se Mexhiti synon Ministrinë e Punëve të Brendshme. E për ta konfirmuar këtë, pyetëm vet Mexhitin. I njëjti nuk e mohoi një gjë të tillë, por tha se do të flasim ditëve në vijim.
“Do të flasim ditëve në vijim”, tha Izet Mexhiti – VLEN.
Pyetëm kreun e BDI-së Ali Ahmeti se si i komenton këto spekulime. Ahmeti me ironi u shpreh se me Mexhitin ministër të brendshëm do të ndihej shumë i sigurt.
“Aaa, do të jem shumë i sigurt me z.Mexhiti unë”, theksoi Ali Ahmeti – Fronti Europian.
Se VLEN ka mundësi që të udhëheqë me Ministrinë e Punëve të Brendshme la të kuptohet edhe kryetari i Alternativës Afrim Gashi.
“Rrjedhimisht, kjo na obligon që t’i përfaqësojmë shqiptarët, edhe në Qeverinë e ardhshme, ku pos tjerash, do të drejtojmë institucione të rëndësishme të punëve të brendshme, që janë përgjegjëse për sanksionimin e krimit dhe korrupsionit”, theksoi Afrim Gashi nga VLEN.
Përndryshe qysh para zgjedhjeve presidenciale, VMRO-DPMNE shprehej se preferojnë koalicionin VLEN si partner qeveritar. Bashkë me ta në përbërjen qeveritare mund të hyjë edhe Lëvizja Znam e Maksim Dimitrievskit.
