Iu vonuan rrogat e më pas u larguan nga puna/ Reagon KOSM: Këto janë inate të Arsovskës në prag të zgjedhjeve

TË FUNDIT

Tre të punësuar në Ndërmarrjen Publike “Rrugë dhe Rrugica” në korniza të Qytetit të Shkupit janë larguar nga puna për shkak se janë ankuar për vonesë të rrogave. Siç njoftoi kryetari i Konfederatës së Organizatave Sindikale, Marjan Risteski, presione të shumta po bëhen ndaj të gjithë të punësuarve nëpër ndërmarrjet publike të cilët ankohen për parregullsi, apo marrin pjesë nëpër protesta.

“Bëhet fjalë për tre të punësuar të cilët shprehën revoltën e tyre përshkak se iu pati vonuar paga thuajse një muaj dhe të punësuarit spontanisht u mblodhën, biseduan me drejtorin, kërkonin rrogë. Kishte bisedime mes sindikatës dhe drejtorit, në takime të caktuara isha prezent edhe unë si kryetar i Konfederatës. Pas disa diskutimeve, të punësuarit ndërprenë bojkotin, u kthyen në punë dhe ditën kur u bë pagesa e rrogës, më vonë erdhi njoftimi se të tre të punësuarve u është dhënë vendim për largim nga puna.”- deklaroi Marjan Risteski – KOSM.

Nga sindikata bëjnë të ditur se janë ankuar deri te bordi drejtues i Ndërmarrjes Publike por edhe te Inspektorati i Punës. Që të dy institucionet kanë shfuqizuar vendimin e drejtorëve për shkarkim, dhe kanë urdhëruar që të njëjtit të kthehen në punë. Megjithatë, edhe më tej të njëjtit nuk janë kthyer. Dyshojnë se këto inate janë për të fituar pikë politike në prag të fushatës zgjedhore.

“Bordi drejtues e shfuqizon vendimin brenda afatit ligjor dhe urdhëron që të punësuarit të kthehen në punë. Paramendoni edhe pas këtij vendimi, të punësuarit ende nuk janë kthyer në punë. Ne ngritëm iniciativë edhe deri te Inspektorati i Punës. Inspektorati urdhëron drejtorin tre të punësuarit të kthehen sepse do të pasojnë komplikime financiare.”- tha Marjan Risteski – KOSM.

Nëse së shpejti nuk gjendet zgjidhje, nga Konfederata thonë se do të bllokojnë rrugët që nga udhëkryqi para Qeverisë e deri para godinës së Qytetit të Shkupit.