Iu dha lamtumira dy nxënësve të vrarë në Gllogjan

TË FUNDIT

Familjar, miq, nxënës, e qytetarët të shumët, jo vetëm nga Komuna e Deçanit, por me më gjerë i dhanë lamtumirën e fundit dy nxënësve të cilët u vranë në Gllogjan.

Kryeministri Albin Kurti, tha se do të behët gjithçka që është e mundur që sa më parë të kapet autori i vrasjes në Gllogjan.

“Askush nuk e ka imagjinuar që për festën e 28 nëntorit, për ditën e Flamurit do të vijmë për zi në Gllogjan. Kemi pikëllim dhe mallëngjim. Por kemi edhe zemërim e indinjatë për këtë vrasje të trefishtë, për këtë akt kriminal e mizor. Policia e Kosovës na ka siguruar që po bëjmë gjithçka që është e mundur që sa më parë të kapin vrasësin dhe vrasësit dhe ta mundësojmë drejtësinë dhe ndëshkimin për ta”, u shpreh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj, bëri apel tek të gjithë që të bashkëpunojnë me institucionet, në mënyrë që autori i krimit të dalë para drejtësisë.

“Po uroj që kurrë më nën-pjesëtarët e popullit tanë mos të ketë më këso rastesh e mos të përsëriten më, po askund në botë mos dëgjofshim për rastesh kaq makabre kur fëmijët i pret tek shtëpia që po kthehen prej shkolle dhe me t’u kthy në arkivole, kjo është shumë e rëndë”, u shpreh Bashkim Rmosaj – kryetar i Deçanit.

Në lamtumirën e fundit ndaj shokëve të shkollës, Genta Mustafaj dhe Ledion Hamzaj, ishin prekëse fjalët e shoqërisë së tyre.

 “Ledion dhe Genta jam unë shoqja juaj qëndroj këtu para jush me shpirt dhe me zemër të copëtuar. Kur u ndam pse nuk më treguat që nuk do të shihemi më kurrë do të i’u shtrëngoja më fort dhe nuk do të ju lejoja të shkonit kurrë. A e thirre mamin që ta kesh darken gati kur të shkosh në shtëpi siç bëje çdo natë. O zot çfarë arsyesh ka kjo vdekje. O zot pse na ndave ne ”, ishin vetëm disa prej fjalëve prej fjalimit të shoqes së Ledionit dhe Gentës në ceremoninë e varrimit të tyre”.

Të premten në orët e mbrëmjes nga të shtënat me armë zjarri drejt një autobusi që po udhëtonte nga Gjakova në Deçan, mbetet të vrarë dy nxënës dhe shoferi i autobusit.

MARKETING I PAGUAR POLITIK