ITSHKSH viziton dhe uron Kishën Katolike në Shkup me rastin e Krishtlindjes

TË FUNDIT

Një delegacion i ITSHKSH-së në Shkup sot vizitoi selinë e Kishës Katolike në Shkup, me ç’rast drejtori, drejtori i Institutit, Skender Asani, ka uruar Krishtlindjen Dom Pavo Shekerija e Kishën Katolike.

Në kumtesën e Institutit thuhet se Asani e njoftoi shkurtimisht nikoqirin Dom Pavo mbi punën që po bën ITSHKSH në planin hulumtues e shkencor, sidomos në thellimin e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit ndërfetar e ndërkulturor në Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë.

“Si kurorë e këtyre përpjekjeve në vitin që po lëmë pas ishin aktivitetet që lidheshin me jetën dhe veprën e Gonxhe Bojaxhiut-Nënë Terezës, si dhe shënimi i datave e festave të rëndësishme, përfshirë edhe manifestimet që afirmojnë vlerat humane e shpirtërore të popujve tanë”, thuhet në njoftim.

Më tej tregohet se Dom Pavo Shekerija, shprehu mirënjohjen e tij për këtë vizitë të ITSHKSH-së dhe i bëri një  estrospektivë ngjarjeve që lidhen me festën e Krishtlindjes. Ai potencoi se njerëzimi po kalon në sfida të ndryshme, andaj fryma hyjnore e Jezu Krishtit është ajo që shton më shumë paqe e ngrohtësi tek njerëzit.

Drejtori i ITSHKSH-së është ftuar që të jetë i pranishëm në meshën kryesore që organizohet sonte me rastin e festës së Krishtlindjes, ku do të jetë prezent edhe Presidenti Pendarovski dhe personalitete të shquara nga jeta publike e vendit.