Ismaili: Tash është koha për t’u dhënë shqiptarëve shpresë

TË FUNDIT

Kandidati për deputet nga Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, ministri Hysni Ismaili, bashkë me kandidatët tjerë të njësisë së gjashtë zgjedhore, sot u takuan me banorë të fshatërave të Komunës së Zhelinës. Nga zyra për shtyp e koalicionit informojnë se Ismaili para banorëve të kësaj ane kërkoi mbështetje që proceset t’i çojnë përpara e proceset sipas tij, shkojnë përpara vetëm me fuqinë e votës së qytetarëve më 15 korrik.

“Tash është koha për t’u dhënë shqiptarëve shpresë. Kërkojmë mbështetje për t’i çuar përpara proceset. Ne nuk ëndërrojmë, por punojmë. Nuk premtojmë, por japim rezultate. Në Ministrinë e Kulturës kemi dëshmuar se dimë të punojmë me ndershmëri”, theksoi mes tjerash kandidati për deputet, Hysni Ismaili.

Ismaili ua përkujtoi qytetarëve të Debërcës, Treboshit, Pallaticës, Zhelinës dhe Strimnicës, premtimet 18 vjeçare të partisë që po aq vite i ka pasur krejt pushtetet e nuk i ka realizuar sot e kësaj dite.

“Ata premtuan se do ta shpojnë Sharrin e do të dalin në Prizren, por gënjyen. Premtuan investime, premtuan barazi, arsim dhe shëndetësi cilësore, por nuk realizuan asgjë. Ne kërkojmë të drejtat tona, ndërsa nuk mohojmë të drejtat e tjetërkujt, prandaj na duhet fuqia e votës suaj”, përfundoi Ismaili, informojnë nga zyra për shtyp.