Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka pritur në zyrën e tij luftëtarin e MMA-së dhe kampionin botëror, Islam Makhachev, përcjell TV21. Në një postim në rrjetet sociale, Vuçiq e përshkroi këtë takim si një “kënaqësi të veçantë dhe privilegj”.
“Ishte një kënaqësi e veçantë dhe një privilegj të pres Islam Makhachevin, sportistin e shquar, kampionin botëror dhe pa diskutim njeriun më të fortë dhe më të njohur që kam pritur ndonjëherë. Dorashkat që më dhuroi janë nga lufta e tij e fundit, kur u bë kampion për të dytën herë dhe më i miri i të gjitha kohërave. Diskutuam për rëndësinë e sportit si themeli i një shoqërie të shëndetshme dhe për rolin që sportistët e nivelit të lartë kanë në motivimin e të rinjve për të zhvilluar disiplinë, përgjegjësi dhe këmbëngulje. Serbia vazhdon të mbështesë sportin dhe talentet e reja, sepse sporti promovon vlera të vërteta, respekt reciprok dhe lidh njerëzit në mbarë botën. I uroj Islamit që të vazhdojë të fitojë dhe të realizojë ëndrrat e tij më të mëdha, si në ring ashtu edhe në jetë”, ka bërë të ditur Vuçiq.
