Ish-ministri grek gjendet i vdekur në pjesën detare në afërsi të ishullit Evija

TË FUNDIT

Ish-ministri grek nga radhët e PASOK-ut, Sifis Valirakis, mbrëmë është gjetur i vdekur në pjesën detare në afërsi të ishullit Evija, pasi paraprakisht me varkën e tij të vogël kishte dalë për të lundruar dhe iu humbën gjurmët, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Sipas mediave greke, me siguri bëhet fjalë për një incident, pasi 77-vjeçari Valirakis për arsye të panjohur ka rrëshqitur dhe ka rënë nga varka.

Roja bregdetare greke kumtoi se në orët e pasdites është njoftuar për një persona të zhdukur, pas çka me nëntë varka dhe anije, një helikopter, dy zhytës, dy ekipe vullnetare dhe automjete të patrullimit tokësor filluan një operacion shpëtimi.

Së pari është gjetur anija dhe më vonë trupi i pajetë i ish-ministrit.

Mediat greke njoftuan se në çastet që u gjet anija, motori ishte duke punuar, në varkën e vogël kishte pajisje gjuetie nën ujë, ndërsa trupi u gjet një milje më larg.

Trupi u dërgua për autopsi për të përcaktuar shkakun e vdekjes.

Valirakis ishte një nga themeluesit e PASOK-ut, në vitin 1977 për herë të parë u zgjodh për deputet, ndërsa nga viti 1981 deri në vitin 1996 ai ishte ministër dhe zëvendësministër në disa ministri.

Gjatë diktaturës në Greqi, ai u dënua dy herë me burg për aktivitetet dhe veprimet e tij kundër juntës dhe dy herë arriti të arratiset.

Herën e dytë, ai u arratis nga burgu në ishullin e Korfuzit dhe arriti të notonte deri në Shqipëri, ku u arrestua përsëri, por u la i lirë pas ndërhyrjeve ndërkombëtare dhe me iniciativën e Andreas Papandreou, me të cilin ishte në lëvizjen çlirimtare Greke kundër diktaturës.