Ish-drejtori Vasev para Komisionit Anketues: “Mora ilaçe në revers që pacientët të vazhdonin me terapinë”

TË FUNDIT

Ilaçet i kam marrë me revers për shkak se nëse nuk do të kishin terapi, rrezikohej që pacientëve t’u kthehet sëmundja, deklaroi ish-drejtori i onkologjisë, Nino Vasev, në lidhje me medikamentet të cilat revizioni vërtetoi se janë blerë pa tender.

“Nuk ka mënyrë tjetër që ju të mos cenoni jetën e pacientëve nëse nuk u jepni terapi, d.m.th. nuk është dëmtuar buxheti, ju thash se ato sasi nga ai vit pa asnjë denarë më shtrenjtë kanë hyrë, d.m.th. na kanë munguar në Institut. Si t’ua ndërpritni terapinë tre muaj që të prisni të përfundojë tenderi, sigurisht që kjo do të thotë se në atë moment unë kam pasur mundësi që të jap dorëheqje dhe ndoshta është dashur të bëjë diçka, keni të drejtë”, pohoi Nino Vasev, ish-drejtor i Klinikës së Onkologjisë.

Vasev demantoi se në vend të ilaçeve biologjike, pacientëve u është thënë terapi fiziologjike.

“Për të dhënë terapi fiziologjike në vend të ilaçeve, ai që e ka shkruar këtë duhet ta vërtetojë dhe të marrë përgjegjësinë nëse nuk është kështu”, tha Nino Vasev, ish-drejtor i Klinikës së Onkologjisë.

Në lidhje me akuzat për vjedhje të citostatikëve që më pas shiteshin ilegalisht, Vasev konfirmoi se infermierja që u kap në këtë rast, është kthyer në punë dhe më pas e ka përsëritur veprën. Ai u pyet edhe për pretendimet se në Onkologji është trajtuar nëna e drejtorit ekonomik Nehat Nuhiu, për të cilën pretendohej se nuk ka vuajtur nga kanceri.

“Pacientja nuk u shtrua si rast onkologjik por si OBS, dyshojmë se është diçka onkologjike, ku e dini ju, mushkëri, ujë, është koha e koronës. Dhe aty nuk është diagnostikuar me sëmundje malinje, por me OBS, andaj dyshojmë për sëmundje malinje, sepse një hemoglobinë kaq të ulët ka tek leukemia dhe jo tek ato sëmundjet e rënda”, theksoi Nino Vasev, ish-drejtor i Klinikës së Onkologjisë.

Vasev u përgjigj se pse nuk është vënë në përdorim sistemi KATO, dhe tha se ai sistem nuk ka izolator dhe më vonë u pa se softueri nuk ka qenë plotësisht funksional. Në këtë sistem kanë punuar tetë infermiere, të cilat u ankuan për probleme shëndetësore për shkak të mungesës së izolatorit dhe kërkuan heqjen e tij, në të kundërtën, kërcënuan se do ta lënë punën.