Dua të ofroj një komunë të ndershme dhe të përgjegjshme, me përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje dhe kthimin e fuqisë së tyre. Këtë e theksoi Biljana Ivanovska, ish–kryetarja e Antikorrupsionit dhe kandidate për kryetare të Qendrës nga platforma “Të pavarurit së bashku”. Ivanovska thotë se hyn në garën e zgjedhjeve lokale pa dëshirë për përfitim, por për përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“Unë nuk do të lejoj plane urbanistike të detajuara të cilat nuk janë të harmonizuara me Planin Urbanistik Gjeneral. Standardin 3, 30, 300 do të luftoj që ta fusim edhe në komunën tonë. Kjo do të thotë që secili, kur të zgjohet, nga dritarja të shohë të paktën tre pemë, për çdo banor të ketë të paktën 30 metra katrorë gjelbërim dhe në 300 metra të ketë një park”, tha Biljana Ivanovska, kandidate për kryetare të Qendrës.
Për mënyrën se si do të marrin pjesë në zgjedhje, duke pasur parasysh pasigurinë nëse të pavarurit duhet të mbledhin nënshkrime apo jo, Ivanovska thotë se pret pengesa edhe më tej.
“Duhet të jemi të përgatitur që do të kemi pengesa, kjo është e qartë, megjithatë kemi kapacitet të mjaftueshëm, energji, njohuri, aftësi dhe mendoj se do t’i tejkalojmë ato. Ndërsa ajo që po ndodh tani në skenën tonë politike dhe krijimi i një pamjeje të paqartë për mënyrën se si do të paraqiten të pavarurit, nuk i shkon për shtat askujt, dhe mendoj se as partive të mëdha nuk u shkon për shtat, sepse në atë mënyrë qytetarët po e humbasin besimin edhe tek ato”, deklaroi Biljana Ivanovska, kandidate për kryetare të Qendrës.
Jana Belçevska nga “Shans për Qendrën” thotë se platforma e tyre “Të pavarurit së bashku” është në procedurë të formimit të një partie politike. Ajo njoftoi se së shpejti do të promovohet edhe kandidati për kryetar të Qytetit të Shkupit.
“Shpresojmë që brenda afatit ligjor do të arrijmë t’i mbledhim të gjitha nënshkrimet. I gjithë ky kaos që e krijuan partitë politike, nëse do të mundet apo nuk do të mundet të dilet si grup i pavarur, apo do të duhet të formohet parti politike, çoi në një situatë pasigurie; mendoj se kjo është menduar qëllimisht nga partitë”, u shpreh Jana Belçevska – “Shans për qendrën”.
Për komunën Qendër deri tani kandidaturën e kanë shpallur: kryetari aktual nga radhët e LSDM-së, Goran Gerasimovski. Nga VMRO–DPMNE thanë se ende janë në bisedime me partnerin e tyre qeverisës ZNAM për atë se kush do të jetë kandidati, edhe pse nga partia e Maksim Dimitrievskit thonë se do të nominojnë kandidat të tyre, i cili do të mbështetet nga VMRO–DPMNE.
