Irani pezullon bisedimet me SHBA-në

TË FUNDIT

Irani ka pezulluar bisedimet me Shtetet e Bashkuara në shenjë proteste ndaj veprimeve të Izraelit në Liban, ka raportuar të hënën agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve Tasnim News Agency.

Sipas agjencisë, Irani kërkon ndalimin e menjëhershëm të luftërave të Izraelit në Rripin e Gazës dhe Liban, si dhe tërheqjen e plotë të ushtrisë izraelite nga Libani.

“Duke pasur parasysh vazhdimin e sulmeve të regjimit izraelit në Liban dhe duke marrë në konsideratë faktin se Libani ishte një nga parakushtet për armëpushimin, i cili tani është shkelur në të gjitha frontet, përfshirë edhe Libanin, ekipi negociues iranian po pezullon ‘bisedimet dhe shkëmbimin e teksteve përmes ndërmjetësve”, ka raportuar Tasnim.

Tasnim ka shtuar se “derisa të plotësohen kërkesat e Iranit dhe të rezistencës lidhur me këto çështje, nuk do të ketë negociata”.

Agjencia ka raportuar gjithashtu se Teherani zyrtar dhe grupet militante aleate të tij në rajon kanë futur në agjendën e tyre “mbylljen e plotë të Ngushticës së Hormuzit dhe aktivizimin e fronteve të tjera”.

Kjo përfshin edhe Bab el-Mandebt, ngushticën në skajin jugor të Detit të Kuq, ku rebelët Houthis, të mbështetur nga Irani, kanë kryer më parë sulme ndaj anijeve që kalonin nëpër atë zonë.

Të hënën, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka bërë të ditur se kishte urdhëruar ushtrinë izraelite të godiste lagjen Dahieh në Beirut, periferinë jugore të qytetit që konsiderohet një bastion i Hezbollahyut.

Një zyrtar izraelit i ka thënë CNN-it se planet për goditjen e Bejrutit ishin koordinuar me Shtetet e Bashkuara.

Urdhri i ri i Netanyahut vjen teksa Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar të hënën se kishin bombarduar objekte radarësh dhe dronësh në Iran. Më pas, Irani ka deklaruar se kishte shënjestruar ushtarë amerikanë në Kuvajt me raketa, të cilat sipas SHBA-së u penguan dhe u rrëzuan.

Sulmet janë përshkallëzimi më i fundit të tensioneve midis SHBA-së dhe Iranit.

Presidenti Trump ka zhvilluar takime me këshilltarët e tij të premten, por ende nuk ka vendosur nëse do të vazhdojë me një marrëveshje për zgjatjen e armëpushimit dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Mediat amerikane kanë raportuar gjatë fundjavës se presidenti Trump, ka kërkuar ndryshime në marrëveshjen e propozuar me Iranin pas takimit me këshilltarët.