Irani dhe Izraeli thanë se kanë ndalur sulmet ndaj njëri-tjetrit, pasi shkëmbyen zjarr për herë të parë që nga armëpushimi i prillit.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të hënën se vendi i tij po e respektonte armëpushimin “për momentin”. Megjithatë, ai theksoi se lufta kundër Iranit dhe grupit Hezbollah, të mbështetur nga Irani në Liban, “nuk ka përfunduar”.
Më herët, ushtria iraniane deklaroi se kishte ndërprerë operacionet e dhënies së një “përgjigje të dhimbshme”, ndaj Izraelit. Ajo premtoi “masa edhe më të ashpra dhe shkatërruese” nëse Izraeli do të kryente sulme të tjera, përfshirë edhe në Liban.
Veçmas, presidenti amerikan Donald Trump tha se ekuipazhi i një helikopteri të ushtrisë amerikane ishte “mirë”, pasi mediat amerikane raportuan se një helikopter ishte rrëzuar në Ngushticën e Hormuzit.
Gazeta “The New York Times” raportoi se një helikopter Apache me dy anëtarë ekuipazhi ishte rrëzuar në rrethana ende të paqarta dhe se të dy ishin shpëtuar në mënyrë të sigurt.
Trumpi nuk dha detaje për shkakun e incidentit, por tha se “askush nuk ishte lënduar” dhe se Shtëpia e Bardhë do të jepte më shumë informacione më vonë.
Teherani lëshoi raketa drejt Izraelit të dielën, si kundërpërgjigje ndaj një sulmi në Beirut.
