Vizioni i SHBA-ve dhe BE-së është i njëjtë me atë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kurse ky është avancimi, paqja, stabiliteti dhe bashkëpunimi, por Rusia nuk mendon ashtu, thotë zëvendës-ndihmës sekretari i SHBA-ve, Metju Palmer në një intervistë për Radio Evropën e Lirë në gjuhën boshnjake. Siç thotë ai, Rusisë më së shumti i konvenon Ballkan i ndarë, i çrregulluar dhe kaotik.
“Mendoj se vizioni i SHBA-ve dhe BE-së për këtë rajon dallohet nga vizioni i Rusisë. Ne duam që këtë rajon ta shohim si funksionin sipas rregullave, parimeve, në pajtueshmëri me institucionet dhe në mënyrë transparente. Nga ana tjetër, Rusia ndoshta më shumë do të kishte dashur që rajoni të jetë i ndarë, në të cilin do të mbizotërojnë tensionet. Fatmirësisht, vizioni të cilin e ndajnë SHBA-të dhe BE-ja është i njëjtë me vizionin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat duan sukses dhe përparim. Por, Rusia, kuptohet se do të vazhdojë të veprojë njëjti si deri më tani – me ndikimin e saj negativ, të cilin kishim mundësi ta shohim në rastin me Marrëveshjen e Prespës”, u shpreh zëvendës-ndihmës Sekretari i SHBA-ve, Metju Palmer.
Palmeri e ceki Marrëveshjen e Prespës si shembull se si fqinjët duhet t’i zgjidhin mosmarrëveshjet kurse Maqedoninë e Veriut si vend i cili ka kundërshtuar ndikimin rus dhe ka zgjedhur rrugën drejt NATO-s dhe BE-së, gjë për të cilën, siç tha, do të vijojë shpërblim.
“Ne me të vërtetë shpresojmë se Këshilli i Evropës do të marrë vendim për t’i filluar bisedimet me Maqedoninë e Veriut. Me të vërtetë ishte dashur guxim i madh për ta arritur Marrëveshjen e Prespës, por tani shohim se guximi ia vlen. Shpresoj se nga ky shembull, mësim do të marrin edhe liderët e Beogradit dhe Prishtinës dhe se do të nisin drejt rrugës së kompromisit dhe gjetjes së zgjidhjeve më të mira”, theksoi Metju Palmer, zëvendës-ndihmës Sekretar i SHBA-ve.
Ai u bëri thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht Serbinë dhe Kosovën që përmes dialogu të bashkëpunojnë dhe t’i zgjidhin çështjet e ndërsjella.
Përgatiti: Edin Rastoder
