Interpelanca për Spasovskin nuk kalon! VMRO-DPMNE u largua nga seanca, Xhaferi nuk ua pranoi listën

TË FUNDIT

Përsëri përplasje mes koordinatorit të grupit parlamentar të VMRO-DPMNE, Nikolla Micevski dhe kryeparlamentarit, Talat Xhaferi në seancën për interpelancë të ministrit Spasovski. Nikolla Micevski reagoi sepse nuk u është pranuar lista e folësve nga ky grup parlamentarë, për shkak se janë vonuar dy orë nga afati i paraparë për parashtrim.

 “Vazhdoni të aktroni teatër, por populli, opinioni dhe të gjithë institucionet relevante e gjykojnë këtë mënyrë të sjelljes. Grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE nuk do të jetë këtu që të bëhet publikë i sjelljes tuaj autoritare. Andaj ta gëzoni interpelancën”, tha Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.

Pas kësaj, deputetët u larguan, ndërsa Xhaferi u tha – Vetë e keni fajin.

 “Fajtori i vetëm jeni vetë ju që nuk e respektoni Rregulloren dhe nuk e dorëzuat listën me kohë. Unë me kënaqësi do ta pres dhe mirëpres interpelancën tuaj për kryerjen e funksionit tim si kryetar i Kuvendit. Për shkak se unë jam kryetar i kuvendit dhe këtu nuk punoj sipas  dëshirës së partive politike”, deklaroi – Talat Xhaferi – kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Nga ASH-AAA thonë se arratisja e Gruevskit dhe Mijallkovit nuk mund të ndodhë pa mbështetje logjistike të MPB, andaj kërkojnë përgjegjësi nga Spasovski.

Sipas Spasovskit interpelanca është e çuditshme për shkak se, siç thotë, është e parashtruar për sukses e jo mos-sukses. Në këtë interpelancë erdha tërësisht i qetë, tha ai.

 “I njëjti ky Mijallkov emrin e të cilit kishit frikë ta përmendni me vite të tëra, tani po shoh se vetëm po shtohet numri i viteve për të qëndruar në burg dhe andaj duhet të jemi  rehat të gjithë ne së bashku. Për këtë kemi luftuar, të tregojmë se çdokush që ka plaçkitur, ka vjedhur nga populli i vet, do të duhet të përgjigjet”, u shpreh Oliver Spasovski – Ministër i Punëve të Brendshme.

Në listën për të folur ishin paraqitur 9 deputetë të ASH-AAA, ndërsa pushteti hoqi dorë për shkak se, siç thanë, kjo interpelancë kundër Spasovskit është e pabazë.