Interi lider së paku deri të dielën, fiton pastër Fiorentinën

TË FUNDIT

Interi i ka marrë tri pikë të arta në udhëtim te Fiorentina. “Nerazzurrët” të premten mbrëma e fituan ndeshjen e vështirë me rezultatin 2:0, në kuadër të xhiros së 21-të në elitën e futbollit italian.

Me këtë fitore, skuadra e drejtuar nga Antonio Conte shkon në kuotën e 47 pikëve, një më shumë se Milani. “Rossonerët” të dielën në shtëpi e presin skuadrën e Crotones.

Në minutën e 31-të, Nicolo Barella shënoi për 1:0 pas asistimit të Alexis Sanchezit.

Portieri Samir Handanoviq bëri pritje të mira në këtë ndeshje, ndërsa Arturo Vidal pësoi dëmtim dhe nuk doli në fushë fare në pjesën e dytë.

Fitoren e Interit e vulosi kroati Ivan Perishiq, që shënoi në minutën e 52-të, pas asistimit të Achraf Hakimit. Hakimi ka shifra të jashtëzakonshme në këtë edicion. Ka shënuar gjashtë gola dhe ka katër asistime.