Reformat në Arsim ashtu si herave të kaluara, edhe tani shkaktuan debat në opinion. Sindikata e pavarur për arsim dhe shkencë dhe shoqata e historianëve të Maqedonisë, thonë se me bashkimin e disa lëndëve në konceptin për arsim fillor do të ulet edhe numri i vendeve të punës në sektorin e arsimit. Madje të njëjtit paralajmërojnë se mund të ketë edhe ndërprerje të procesit mësimor.
Por të gjitha këto informacione në publik i demanton Byroja për Zhvillim të Arsimit prej ku edhe përgatiten të gjitha këto ndryshime. Nga atje sqarojnë se lënda “Shkenca natyrore” nuk është diçka e re por mësohet tanimë 15 vjet. Ata informojnë se lëndën “Shkenca natyrore” do të mund ta ligjerojnë mësimdhënës të cilët kanë kryer studimet e biologjisë, kimisë, fizikës dhe gjeografisë ose për dy lëndë të kombinuara nga kjo fushë.
“Në normat për kuadër mësimor janë cekur mësimdhënësit të cilët kanë kryer studime të biologjisë, kimisë, fizikës dhe gjeografisë, si dhe studime për dy lëndë në kombinime të ndryshme të lëndëve nga kjo fushë. Mësimin ashtu sikurse deri tani (në klasë të pestë dhe të gjashtë) do ta ligjerojë një mësimdhënës në shkollë, në përputhje me kuadrin mësimdhënës në dispozicion dhe sipas organizimit të mësimit”, thonë nga Byroja për zhvillim në arsim dhe shkencë.
Nga Byroja gjithashtu qetësojnë opinionin dhe kuadrin mësimdhënës se asnjë prej tyre nuk do të ngelet pa punë, respektivisht, nuk do të shkurtohet numri i mësimdhënësve.
“Me rëndësi është të ceket edhe një herë se asnjë mësimdhënës nuk do të ngelet pa punë, pa orë, përshkak vendosjes së programeve të reja mësimore. Numri i orëve është i njejtë si më parë, e ajo që e vendosim në programet e reja është qasja e re, e bazuar në mësim me përvojë, lidhje e asaj që po mësohet në realitet, përmes eksperimenteve, zhvillimit të mendimit kritik”, theksojnë nga Byroja për zhvillim në arsim dhe shkencë.
Sa i përket heqjes së lëndës së historisë nga programi mësimor, nga Byroja thonë se edhe kjo është dezinformatë dhe se nxënësit do të vazhdojnë të mësojnë për historinë madje duke filluar nga klasa e katërt dhe jo nga e gjashta siç ishte deri tani.
Ministri i Arsimit Jeton Shaqiri sqaron dilemat lidhur me inkorporimin e lëndëve, duke thënë se ky proces ka filluar që nga viti i kaluar ndërsa është decid se numri i orëve nuk do të ulet.
“Çështja e integrimit të lëndëve filloi edhe nga viti i kaluar si proces i integrimit të lëndëve që ka të bëjë me lëndën “Shoqëria”. Do të thoja që ka filluar me procesin e aplikimit që në klasën e pestë dhe vazhdon në klasën e gjashtë, ose thënë ndryshe çështja e konceptit të arsimit fillor, bën integrimin e lëndëve në module brenda një lënde por nuk do të thotë që numri i orëve të caktuara do të zvogëlohet për lëndë të caktuara. Dimë se lëndët në sistemin e vjetër kanë qenë të kyçura nga klasa e shtatë dhe e tetë ndërsa tash do të mund të kenë brenda moduleve dukuri të cilat duhet t’i diskutojnë prej më herët nga klasa e pestë të mund të vazhdohet deri në klasën e nëntë”, tha Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Nga Byroja për Zhvillim në Arsim na informuan se i gjithë koncepti është përgatitur me pjesmarje të ekspertëve vendorë dhe të huaj, përmes takimeve dhe debateve publike. Vendimi erdhi pas analizës për sistem nga ana e OECD dhe institucioneve tjera vendore dhe të huaja. Mendime pozitive janë dhënë gjithashtu nga UNICEF dhe USAID.