Instituti Nobel kundërshton idenë e Machados: Çmimi për Paqe nuk mund t’i transferohet Trumpit

TË FUNDIT

Instituti Nobel i Norvegjisë njoftoi se Çmimi Nobel për Paqe nuk mund të transferohet tek një person tjetër, pas deklaratës së lideres opozitare venezuelase, María Corina Machado, e cila sugjeroi se çmimin e saj Nobel për vitin 2025, mund t’ia dhuronte presidentit amerikan, Donald Trump.

Në komunikatën e tij, Instituti thekson se vendimi për dhënien e Çmimit Nobel është përfundimtar dhe i pandryshueshëm, duke iu referuar statutit të Fondacionit Nobel, i cili nuk lejon ankesa apo modifikime.

“Pasi të shpallet, Çmimi Nobel nuk mund të tërhiqet, ndahet ose transferohet tek të tjerët. Vendimi është përfundimtar dhe vlen për të gjitha kohërat,” tha Komiteti Norvegjez Nobel.

Machado më parë për “Fox News” deklaroi se dhurimi i çmimit Trumpit do të ishte një akt mirënjohjeje nga populli venezuelian për rrëzimin e Nicolás Maduro, i cili u arrestua javën e kaluar nga forcat amerikane dhe u transferua në SHBA. Trump tha se do të ishte nder për të pranuar çmimin, nëse Machado ia ofron atë gjatë takimit të tyre në Uashington javën e ardhshme.