Institucionet përplasen, klinika “vuan” për punëtorë! Punonjësit e Klinikës së Fëmijëve sërish ngrenë zërin para ministrisë së Financave

TË FUNDIT

“Edhe breshkë të ishte, nga data 9 deri më 31 dhjetor, do t’i sillte dokumentet, e nëse s’kanë qenë të përgatitura siç duhet, do të ktheheshin”.

Të punësuarit e Klinikës së Fëmijëve që mbetën pa punë, për shkak se Ministria e Financave nuk ka dhënë pëlqim për punësimin e tyre, në shenjë proteste sërish shkuan para Ministrisë, po kësaj here për të dëshmuar me dokumente komunikimin zyrtar mes institucioneve, se kur është bërë kërkesa nga Klinika e kur është kthyer përgjigja.

“Përfundimtarja është 28 prill, d.m.th. ka ecur ky dokument, në Ministrinë e Shëndetësisë, të Financave, është kthyer tek ne më 28 prill. D.m.th. pa dy ditë – pesë muaj! Përgjigja është negative sërish. Ne 5 muaj i kemi pritur edhe del zonja e financave dhe thotë “ne i kemi dërguar dokumentacionet më 22 janar”, por ne kemi fakt që është më 09.12.2025”, tha Flora Gashi.

Thënë thjeshtë, kërkesa e Klinikës ndaj Ministrisë për punësime është bërë në dhjetor, e përgjigjen, sipas të punësuarve dhe drejtorit Rexhep Memedi, Klinika e ka marrë në prill, e gjatë gjithë këtyre muajve rreth 50 punonjës kanë vazhduar të shkojnë në punë, pavarësisht se për ta s’janë paraparë mjete.

“Përgjigja është më 28 prill, dhe kur na informoi drejtori, disa shkuan vullnetarisht në punë, por erdhi fundi dhe të gjithë shkuam në shtëpi, por me shpresë… pastaj drejtori dorëzoi kërkesë tjetër, pasi e ka marrë këtë përgjigjen negative më 28 prill, kërkesa tjetër për 50 punonjës – edhe kjo është kthyer me përgjigje negative:, deklaroi Sedat Bushi.

Edhe drejtori i Klinikës Memedi kur e ka sqaruar çështjen, ka paraqitur të njëjtat të dhëna, duke pohuar se Klinika e ka mirëplanifikuar buxhetin për punësime dhe angazhime në vepër.

“Me të njëjtin plan-buxhet Ministria e Financave në 2025-tën, pas kërkesës sonë, i dha Klinikës së Fëmijëve pëlqime për angazhim të punonjësve me kontratat në vepër. Në dhjetor 2025, bashkë me kërkesën për vazhdimin e këtyre pëlqimeve për 2026-tën, Klinka dorëzoi edhe tabelë ku është shkruar saktë buxheti adekuat për këto punësime dhe buxheti që klinika posedon për pagesën e rrogave. Tek në 22 prill 2026 Klinika e fëmijëve merr përgjigje zyrtare negative nga Ministria e Financave në lidhje me kërkesën tonë të dërguar në dhjetor 2025”, tha Rexhep Memedi.

Por ministrja e Financave Dimitrievska-Koçoska mohon, duke dhënë version ndryshe.

“Më 22 janar ka arritur kërkesa nga Klinika e Fëmijëve. E para, 22 ditë si punonjësit kanë shkuar në punë, kur 22 ditë ka qenë e nevojshme ose kërkesa ky hyrë në Ministrinë e Financave pas 1 janarit, respektivisht më datë 22. Ai është dashur të sigurojë Pëlqim para vitit të ri, që të mundte t’i mbajë të punësuarit. Që do me thënë se sërish kthehemi tek pyetja se si i ka angazhuar dhe i ka thirrur në punë kur ligjërisht nuk mund ta bëjë”, theksoi Gordana Dimitrievska-Koçoska.

E deri sa institucionet vazhdojnë të përplasen dhe t’ia hedhin fajin njëra-tjetrës, rreth 50 të punësuarit për momentin janë pa punë dhe në pritje. Ajo që e pëson është Klinika e fëmijëve, e cila ka mundesë të stafit, gjë që e ka pohuar si drejtori i klinkës, po ashtu edhe Ministri i Shëndetësisë, ndërsa e pohojnë edhe në punësuarit.

“Klinika është jo drejt kolapsit, por është në kolaps veçmë. Tre reparte janë mbyllur. Ambulanca poshtë punon-s’punon, se është vetëm një infermiere, që e bën punën e motrës, mjekut, pastruesit dhe administratës”, u shpreh Flora Gashi.