Iniciativa qytetare i jep afat Carovskës, shprehen kundër eksperimentit me libra dixhital

TË FUNDIT

Nxënësit e klasave të katërta këtë vit nuk kanë marrë libra shkollor. Gjithçka që kanë marrë është një link, nga i cili duhet t’i shkarkojnë librat e digjital, ndërsa tabletët ose lap topët duhen t’i blejnë vet prindërit. Ky është një eksperiment i MASH, për të cilin nga Iniciativa Qytetare “Libra dhe mësim patjetër të ketë” nuk pajtohen.  Kjo iniciativë do të dërgojë parashtresë deri te Komisioni  Antikorrupsion dhe Avokati i Popullit për një sërë parregullsish që i kanë vënë re.  Thonë se jo vetëm për klasat e katërta, por edhe për klasa tjera ka mungesë të librave.

 “Javën e ardhshme do të dorëzojmë parashtresa deri te Komisioni antikorrupsion për shkak se kërkuam informacione me karakter publik nga ministria, prej ku na dhanë një përgjigje qesharake dhe këtë dokument do ta shihni nga e hëna, kështu që javën që vijon do të punojmë  në parashtresat që duhet t’u dorëzohen Komisionit antikorrupsion dhe Avokatit të popullit me qëllim që të caktohen rregullat sipas të cilave do të sillet kjo reformë dhe koncepcion. Ne si mund të zbatojmë reforma pa ligj për libra mësimore dhe materiale mësimore, që nuk janë zbatuar e as miratuar”, tha Dragana Spasovska – “Libra dhe mësim patjetër duhet të ketë”.

Nga kjo iniciativë thonë që nëse deri më 1 tetor nuk do të plotësohen kërkesat e tyre, ata do të ndërmarrin masa tjera.

Por ministrja e Arsimit dhe Shkencës para disa dite tha se nuk hiqet nga qëndrimi i saj. Ajo thotë se koncepti i ri është shumë i rëndësishëm.

 “Më duhet ta theksoj se mësimi nuk nënkupton libër dhe është shumë e rëndësishme që koncepti i ri ta ndryshojë paradigmën e mësimit. Kjo është ideja e konceptit të ri të mësimit. Mësojmë përmes hulumtimit, mësojmë përmes praktikës dhe diskutimit e analizës së përmbajtjeve të ndryshme që ndodhen në burime të ndryshme të informimit, me qëllim që atë që e mësojmë, nesër të dimë ta përdorim. Pikërisht për shkak të parimit të mësimit përshkrim nga libri në fletore kemi rezultatet më tragjike në “pizza”, “teams” dhe të ngjashme”, deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska.

Përveç që ka mungesë të librave, edhe ato libra që nxënësit i kanë marrë, shumica janë të shkarravitura. E për këtë ministrja Carovska fajin ia lë drejtorëve të cilët nuk kanë kërkuar libra nga ministria.