“Informacione: Presidenti i Francës”, Trump mburrej se kishte të dhëna për jetën intime të Macron, dyshohet se u sekuestruan nga FBI

TË FUNDIT

Donald Trump u mburrej miqve se kishte informacione sekrete mbi jetën intime të Presidentit të Francës Emmanuel Macron, informacione që i kishte marrë gjatë kohës kur shërbeu në Shtëpinë e Bardhë. Kështu të paktën pretendon një raportim i revistës “Rolling Stones”, që citon dy burime që kanë dijeni mbi këtë çështje.

Loading poll ...

Edhe pse burimet pranojnë se ishte e vështirë të dallohej nëse Trump e kishte seriozisht, apo jo, lajmi merr tjetër vlerë pas bastisjes së shtëpisë së ish-presidentit në Florida, ku agjentët e FBI-së raportohet se sekuestruan disa dokumente, në disa prej të cilave shkruhej “Informacione: Presidenti i Francës”.

Jeta personale e 44-vjeçarit ka qenë gjithmonë në vëmendjen e publikut, për shkak të martesës së tij me Brigite Macron, rreth 25 vite më e madhe se ai në moshë, të cilën e ka njohur kur ishte 15 vjeç dhe e kishte mësuese.

Publikimi i këtij artikulli ka ngritur dyshime dhe disa media raportojnë se janë pikërisht informacionet që Trump kishte mbledhur rreth Macron që janë sekuestruar nga FBI.

Edhe pse në publik marrëdhënia mes dy shtetarëve ka qenë relativisht e mirë, Stephanie Grisham, e cila ka punuar si zëdhënëse shtypi e Trump për ca kohë, ka shkruar në kujtimet e saj se ai e konsideronte “qullash” Macron-in.