Inflacioni nuk po qetësohet. Në gjysmën e parë të këtij viti, nga janari deri në qershor, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ai është 3.8 përqind. Nëse krahasojmë qershorin e këtij viti me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, rritja është 4.5 përqind.
Përveç rritjes së inflacionit të përgjithshëm, shqetësuese është edhe rritja e çmimeve të ushqimit, pijes joalkoolike dhe produkteve bujqësore. Nëse krahasojmë qershorin me majin e këtij viti, ushqimet u shtrenjtuan për 6.3%. Produktet bujqësore, të matur sipas çmimeve me pakicë, janë rritur për 11.1%.
Sipas kryeministrit Hristijan Mickovski, çmimet e larta janë rezultat i një inflacioni bazik të rritur. Kjo mund të duket kontradiktore, sepse në llogaritjen e inflacionit bazik nuk përfshihen ushqimet dhe energjia, por ai shpjegoi se faktorë të tjerë që lidhen me produktet ushqimore dhe bujqësore po rrisin çmimet.
“Nëse e shihni informacionin, për shembull për produktet bujqësore, në të njëjtën Ent Shtetëror të Statistikave nga një ose dy javë më parë, do të vini re se parametrat në input janë rritur për 2 përqind, ndërsa në output për 11 përqind… Bujku e shet prodhimin e tij tek dikush që më pas e dërgon në market, dhe nëse e shet me 11 përqind më shtrenjtë, atëherë është e qartë”, tha Mickoski.
Kjo tregon se blerësit, distributorët dhe marketet ndikojnë në çmimet e produkteve ushqimore dhe bujqësore.
Sipas Mickoskit, shumë shpejt do të merren masa për të ngadalësuar rritjen e inflacionit bazik. Ai nuk specifikoi cilat masa, por tha se po shqyrtohen të gjitha opsionet. Gjithashtu paralajmëroi disa markete, duke thënë se janë në dijeni të trukeve që përdorin për të ngritur çmimet.
“Plotësisht, i ndjekim ato truke të disa marketeve. Nuk kalojnë pa u vënë re, por nuk dua të dal tani me ndonjë deklaratë”, tha më tej Mickoski.
Kryeministri tha se ndikim në rritjen e çmimeve ka edhe kërkesa më e madhe nga qytetarët, për shkak të pagave dhe pensioneve më të larta, por nuk paralajmëroi ndryshime në politikën fiskale.