Qeveria nuk do të marrë masa për ngrirjen e çmimeve dhe marzheve për të ndaluar rritjen e inflacionit, njoftoi kryeministri Hristijan Mickoski. Sipas tij, kjo masë, e cila është zbatuar në të kaluarën, nuk jep rezultatet e pritura, prandaj do të ndërmerren masa të tjera që do të ndikojnë në stabilizimin dhe uljen e inflacionit.
“Praktika jonë tregoi se nëse vetëm e kufizojmë marzhin në një pjesë të caktuar të produkteve, veçanërisht kur flasim për ushqimet, ajo më pas reflektohet në muajt pasues dhe në fund barazohet. Nuk duam të biem në atë kurth”, deklaroi kryeminsitri i vendit, Hristijan Mickoski.
Ngrirja e çmimeve dhe marzheve nuk jep rezultat sepse nxitësi i inflacionit nuk janë çmimet e ushqimit, megjithëse një pjesë e tij ka pasur shtrenjtim drastik, siç janë frutat. Motori kryesor i rritjeve në korrik është inflacioni bazë, i cili nga 5,1% në qershor u rrit në 5,5% ose me 0,4 pikë përqindjeje, gjë që është më shumë se rritja e inflacionit vjetor prej 0,3 pikë përqindjeje, i cili në korrik ishte 4,8%.
Muaji Inflacioni bazë (%) Inflacioni vjetor (%)
Qershor 2025 5.1 4.5
Korrik 2025 5.5 4.8
Dallimi +0.4 +0.3
Kjo do të thotë se ushqimi dhe energjia nuk kanë ndikuar në shtrenjtim. Motori kryesor, sipas Mickoskit, por edhe sipas ekspertëve që këto ditë i ka përcjellë TV21, janë shërbimet, përfshirë ato të transportit dhe restoranteve.
“Kjo do të thotë se rritja e pagave dhe pensioneve, të cilat nominalisht janë rritur, po bëjnë presion mbi kërkesën, pra kemi një kërkesë të rritur dhe njerëzit mund të paguajnë këtë çmim për shërbimin. Ata që e ofrojnë këtë shërbim, normalisht, e rrisin çmimin e tij, deri në momentin kur konsumatorët kanë para për ta paguar. Prandaj jemi shumë të kujdesshëm në marrjen e masave”, u shpreh Hristijan Mickoski – kryeministër.
Shtesë, Mickoski theksoi se inflacionin e nxit edhe aktiviteti i madh kreditues, ku kompanitë dhe qytetarët marrin lehtësisht kredi konsumatore dhe investuese, gjë që do të thotë se në zgjidhjen e problemit duhet të përfshihet edhe politika monetare, pra edhe Banka Popullore. Kryeministri njoftoi se masat e ardhshme do të jenë gjithëpërfshirëse dhe do të godasin kërkesën agregate, që do të thotë konsolidim fiskal i përshpejtuar dhe ulje e parasë në qarkullim.
“Një nga drejtimet ku duhet të lëvizim është ky. Por, ju lutem, po hyjmë shumë seriozisht, po punojmë, i ndjekim në detaje të gjitha këto çështje, nuk po i lëmë vend zgjidhjeve populiste, ad-hoc, por duam që të jetë një zgjidhje e qëndrueshme”, shtoi kryeministri Hristijan Mickoski.
Gjatë ditëve të fundit, shumica e ekonomistëve theksuan se pa masa serioze që do të godasin inflacionin bazë, nuk do të ketë ndalim të shtrenjtimit të çmimeve.