Incidenti me Pendikovin, një skenar i planifikuar! Spasovski: Ata që rrahin dhe që janë rrahur janë nga i njëjti grup

TË FUNDIT

Incidenti me rrahjen e sekretarit të klubit bullgar në Ohër, Hristijan Pendikov është skenar dhe është pjesë e luftës hibride, pohon ministri i brendshëm Oliver Spasovski. Ka elemente në shtet që nuk duan të jemi anëtarë të NATO-s dhe BE-së dhe e gjithë kjo po bëhet për interesa politike, thotë Spasovski.

“Kjo që ndodhi si ngjarje me Bullgarinë, thashë, bëhet me arsye për t’u prishur raportet, është një proces që po e udhëheqin forcat retrograde të Bullgarisë dhe të Maqedonisë së Veriut. Njerëz nga i njëjti grup janë edhe ata që rrahin edhe ata që janë rrahur. Këtë e dëshmon kjo luftë hibride dhe shteti reagon për çdo veprim inkriminues”, tha Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.

Skenari i këtillë më së shumti u konvenon partive politike të Bullgarisë, pasi atje tashmë filloi fushatë parazgjedhore. Këtë e konfirmon edhe Vesella Çerneva, këshilltare për politikë të jashtme e ish kryeministrit Kiril Petkov. Sipas saj, tërheqja e ambasadorit bullgar nga Shkupi është hap jo i duhur, për shkak se hapa të këtillë po ndërmerren në situata të jashtëzakonshme.

“Në muajt e fundit është e dukshme rritja e tensioneve në raportet e ndërsjella. Përshkallëzime të këtilla ka gjithmonë para zgjedhjeve. Kjo situatë më duket se bëhet qëllimisht. Është shumë e lehtë që të shkaktohet prishje e raporteve dypalëshe. Është e vështirë e kundërta, të krijohet ambient ku nuk do të ndodhin gjëra të këtilla”, pohoi Vesella Çerneva, ish këshilltare e Kiril Petkovit.

Si ditë me rrezik të lartë konsiderohet dita e shënimit të 151 vjetorit të lindjes së revolucionarit maqedonas Goce Dellçev, në kishën “Shën Spas” në Shkup, ku sipas paralajmërimeve, do të vijnë edhe shtetas të Bullgarisë. Jo zyrtarisht përgatitet bllokadë e rrugëve që të pengohen në qëllimin e tyre për të ardhur këtu. Ministri Spasovski thirri që të mos ketë bllokada, ndërsa ministri i jashtëm teknik i Bullgarisë Nikollaj Millkov paralajmëroi se do të dërgojë notë deri te Shkupi me kërkesë që të garantohet siguria e bullgarëve të cilët më 4 shkurt do ta vizitojnë varrin e Dellçevit.

 “Nuk ka nevojë që qytetarët të organizojnë bllokada të rrugëve, rojë nate ose diçka tjetër. Për shkak se këtu janë institucionet e sistemit të këtij shteti. Absolutisht nuk do të lejoj si ministër i brendshëm nënçmim të popullit maqedonas dhe qytetarëve maqedonas. Në asnjë rast dhe nga askush. Më pak që të na nënçmojë dikush që vjen nga jashtë”, deklaroi Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.

Por, cili do të jetë vendimi, nëse do t’i lejohet Angell Xhambaskit të hyjë në shtetin tonë për të cilin presidenti i shtetit tashmë kërkoi që të shpallet persona non grata. Spasovski e përsëriti qëndrimin dhe tha se kjo do të merret vesh atë ditë.