Ilir Meta hyn në histori – presidenti i parë që shkarkohet nga deputetët

TË FUNDIT

Ilir Meta është Presidenti i parë në historinë e Shqipërisë që shkarkohet nga Parlamenti për shkelje të rënda të Kushtetutës.

Partia Socialiste, e cila 4 vite më parë e zgjodhi President të Republikës së Shqipërisë, votoi së bashku me deputetet e opozitës shkarkimin e Ilir Metës nga posti më i lartë i shtetit shqiptar.

105 deputetë votuan pro shkarkimit, 7 votuan kundër dhe 3 abstenim, nga 115 deputetë që morën pjesë në votimin për shkarkimin e Presidentit. Shtatë deputetë munguan, mes të cilëve ministrja Olta Xhaçka, Fidel Ylli dhe Rudina Hajdari.

Brenda 5 ditëve, ky vendim i Parlamentit do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese, e cila vendos përfundimisht fatin e Ilir Metës.

Në mënyrë që kryetari i shtetit të shkarkohet duhet që të paktën 5 nga 7 gjyqtarët që ka Kushtetuesja të votojë pro vendimit të Parlamentit.

Ilir Meta u zgjodh president i Republikës në 29 prillin e 2017 me 87 vota pro dhe 2 kundër. Asokohe Partia Demokratike dhe aleatet e saj ishin ngujuar në çadër para kryeministrisë dhe Meta u votua vetëm me votat e mazhorancës.

Më herët, gjatë seancës, Kryeministri Edi Rama, përmendi pikat kryesore të cilat sipas tij përbëjnë arsye të forta që Ilir Meta të mos jetë më Presidenti i Shqipërisë. Duke e quajtur një “mik të dikurshëm”, kreu i qeverisë tha se Meta ka shembur institucionin e garantit të unitetit kombëtar dhe ka turpëruar Shqipërinë.