I riu nga Shkupi pretendon se është rrahur nga “Tigrat”, policia thotë se ai e ka sulmuar një polic

TË FUNDIT

Këto plagë në anën e djathtë të fytyrës, Ensar Iseni pretendon se ia kanë shkaktuar zyrtarë policorë, më saktësisht njësiti “Tigrat”.

 “Shoku im i lidhur, fytyrën nga ana tjetër, edhe një shok tjetër nga ana tjetër nuk i kanë lejuar të shohin se çfarë po ndodh.”

Krejt kjo sipas tij ka ndodhur në këtë rrugicë rreth Vardarit, në parkun e qytetit të Shkupit, ku edhe e takuam Ensarin që pretendon për dhunë policore.

Përveç rrëfimit të tij, ngjarja nuk ka se si dëshmohet në formë tjetër, për shkak se me sa pamë rreth e rrotull nuk ka as kamera sigurie. Ndërkaq shoku me të cilin ka qenë Ensari, nuk dëshiron të flasë para kamerës.

 “Unë në orën 2 e natës më datë 10.12 isha me shokun tim Xhengiz Ilaz duke shkuar në klub të natës. Nga kjo rrugë ishim duke ardhur dhe për momentin shohim që dikush po na bën me dorë ndaloni. U ndaluam na nxorën prej veturës dhe menjëherë duart lart dhe nisën të na godasin nga shpina dhe unë ju thash kush jeni ju pse po më goditni, tani do e shohësh kush jemi ne. Më morën mua këtu në errësirë dhe filluan të më godasin 30 persona, të gjithë njësiti special ‘Tigrat’”, deklaroi Ensar Iseni.

Për akuzat dhe pretendimet e Ensarit, TV21 kërkoi qëndrim nga MPB, nga ku nuk flasin nëse është ushtruar dhunë ose jo mbi të riun, por thonë se është privuar nga liria për shkak se ai fizikisht e ka sulmuar një polic.

“Më 10 dhjetor 2022 në orën 03:00 në afërsi të një objekti hoteliere në Parkun e Qytetit në Shkup nga zyrtarë policorë nga SPB Shkupi, E.I. (24 vjeç) nga Shkupi është privuar nga liria për shkak të sulmit fizik ndaj një zyrtari policor i cili ishte duke kryer veprime zyrtare. Me kallëzim penal është dorëzuar në Prokurorinë Publike Shkup, e cila ka iniciuar procedurë për vepër penale – Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave të sigurisë”, thonë nga Ministria e Brendshme.

Nga ana tjetër, 24-vjeçari Iseni mohon që ai të ketë sulmuar ndonjë polic.

-Më kanë akuzuar se unë kam goditur një polic prej tyre.

-A është e vërtetë kjo?

-Nuk është e vërtetë, asnjëherë nuk kam goditur asnjë polic.

-Më herët a ke pasur ndonjë problem me policët?

-Jo, jo asnjëherë nuk kam pasur. Unë në gjyq, jam i pastër nuk kam asnjë problem me shtetin.

Për këtë rast ka reaguar edhe opozitarja Aleanca për Shqiptarët, të cilët përmes një komunikate kërkuan që “MPB ta ndalojë dhe hetojë dhunën e “Tigrave” ndaj të rinjve shqiptarë”.