Në Gjykatën Penale, me dëgjimin e dëshmitarit Sasho Trajkovski, i punësuar në DSK, vazhdon seanca për rastin e PPS-së “Target-Fortesa”. Trajkovski thotë se në DSK është përgjuar në mënyrë joligjore dhe se vetëm një herë ka parë urdhër nga Gjykata. Sipas tij, edhe ish-drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, edhe ish-shefi i Drejtorisë së Pestë pranë MPB-së, Goran Grujevski, kanë pasur kompjuterë të cilët kanë qenë të lidhur me njërin nga sistemet për përgjim “Najs”. Dëshmitari thotë se ka pasur një grup nën emrin “Vazhno”, ku ka pasur vetëm tre shfrytëzues. Njëkohësisht, ai shton se qasja deri te ato fajle ishte përmes zyrave të drejtorit të DSK-së dhe shefit të Drejtorisë së Pestë. Trajkovski tha se ka pasur zyra në dy lokacione. Njëra ndodhej te pishina në Aerodrom, kurse e dyta përball gjimnazit “Josip Broz Tito”. Ndryshe, sipas aktakuzës, përmes tre sistemeve për ndjekjen e komunikimeve në DSK në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2015 në mënyrë ilegale janë ndjekur 4.286 numra telefoni për të cilët aspak nuk janë dhënë urdhra gjyqësore./TV21
