Shoferët e autobusëve privat po presin ta marrin borxhin prej 2 milionë euro, por NQP u ka lëshuar vetëm 5 mijë denarë.
Njëri nga shoferët vlerëson se ky është ngacmim për ta, dhe se nesër do të shkojnë në zyre të drejtorit për tu sqaruar, e nëse nuk i pranon në takim paralajmëron protesta në ditët në vijim.
“Ka bërë një gabim drejtori i NQP këtë javë ka lëshuar 5000 denarë për 103 firmat tona.
Vetëm 5 mijë denarë?
5 mijë denarë për gjithë, 2 milion euro domethënë që ka t’i japë dhe kjo është një ngacmim ndaj neve transportuesve privat.
Kanë lojëra me neve duan të luajnë.
A do të bisedoni nesër për këtë çështje që ua ka lëshuar vetëm 5 mijë denarë?
Ne do bisedojmë me to dhe nesër në ora 9 e kemi para zyrave të tij, dhe do bëjmë kërkesë të na pranojë.
Ne e kemi pasur ndërmend të martën ose të mërkurën të protestojmë para “Vero Jumbo””- thotë Uzejr Ahmedi – shofer autobusi.
Nga ana tjetër kryetarja e Shkupit as nuk po merret me ta. Ajo inicioi prokurimin e autobusëve “eco”, me një kredi prej rreth 10 milionë eurove. Kjo sipas saj për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe për transport publik më cilësor. Sa i përket shoferëve privatë, Arsovska tha se ka pasur dy thirrje publike ku mundeshin të paraqiten, por nuk e kanë bërë.
“Kishte dy thirrje publike për t’u paraqitur, për të gjithë ata që duan të punojnë ndershmërisht kanë pasur mundësi të vijnë të paraqiten dhe t’i fusin në funksion këta autobusë dhe të punojnë në kuadër të transportit publik.”- deklaroi Danella Arsovska, Kryetare e Shkupit.
Përveç kësaj Kryeministri Kovaçevski një muaj më parë paralajmëroi se do ketë takim me transportuesit privat për t’iu ndihmuar në zgjidhjen e problemit, me kusht që ata t’i plotësojnë disa prej kërkesave të tij, por deri tani ende nuk është mbajtur një takim mes tyre.
