Sapo kishte instaluar rrjetin e solareve fotovoltaike, menjëherë njëra ka pësuar dëmtim nga një plumb i rënë nga qielli. Pronari Sedat Sulejmani nga fshati Studniçan, pretendon që dikush prej bashkëfshatarëve ka shtënë me armë. Ai thotë se kur ka dasma të shtënat nuk ndalen.
“Kemi probleme edhe me bashkëfshatarët të cilët nuk i ndalin të gjuajturat me armë në dasmat e tyre. Pas kësaj na i kanë dëmtuar disa pjesë të solareve, por kjo nuk është diçka që është ndalur deri tani. Kemi lajmëruar disa herë edhe policinë, por nuk kanë marrë masat e duhura”, tha Sedat Sulejmani, pronar i kompanisë.
Nga MPB thonë se ata raste që janë të evidentuara për shkelje të rendit publik, janë ndjekur penalisht.
“Në periudhën tetor 2021 – tetor 2022, policia evidentoi 14 raste të keqpërdorimit të armëve gjatë festave. Të gjithë janë ndjekur penalisht, me pasojë shtatë vepra penale të “shkaktimit të rrezikut publik”, një vepër penale “prodhimi, mbajtja dhe tregtimi pa leje i armëve të zjarrit apo lëndëve shpërthyese”, si dhe gjashtë vepra penale nga Ligji për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike”, thonë nga MPB.
Një kuadrat prej këtyre solareve prej 1.6 MW Sedatit i ka kushtuar 500 euro.
