Politikani serb nga Bosnja, Momçillo Krajishnik, i cili ishte burgosur nga Tribunali i Hagës për përfshirjen e tij në krime kundër njerëzimit ndaj qytetarëve jo-serbë gjatë luftës në Bosnje, ka vdekur si rezultat i komplikimeve të shkaktuara nga KOVID-19.
Krajishnik vdiq të martën në moshën 75 vjeçare në Qendrën Klinike Universitare në Banja Llukë në entitetin me shumicë serbe, Republika Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë, thuhet në një komunikatë të Qendrës klinike.
Ai ishte një nga liderët politikë kryesorë të serbëve të Bosnjës gjatë viteve të luftës 1992-95, së bashku me Radovan Karaxhiqin dhe Biljana Plavshiqin, njofton BalkanInsight.
Ai bashkëthemeloi Partinë Demokratike Serbe me Karaxhiqin, i cili tani është duke vuajtur dënimin e përjetshëm për gjenocid dhe krime tjera të luftës.
Krajishnik në vitin 2000 u arrestua dhe u dërgua në Hagë për t’u gjykuar për krime lufte. Në paraqitjen e parë në vitin 2006, Krajishnik ishe dënuar me 27 vjet burg, por pas një apeli në vitin 2009 dënimi i tij u reduktua në 20 vjet burg. fab/
