Hulumtim shkencor “ Rrugëtimi i të pastrehëve”, Trençevska: Angazhohemi për përkujdesjen dhe risocializimin e tyre

TË FUNDIT

Në shtëpinë e ARM-së u prezantua hulumtimi shkencor lidhur me personat e pastrehë. Sipas hulumtimeve të profesorëve, të pastrehët më së shumti gjenden në zonat urbane ndërsa vijnë nga mosha dhe përkatësi të ndryshme etnike. Për momentin në pikën për të pastrehë në Momin Potok janë të vendosur 15 persona ndërsa 30 të tjerë në fshatin Çiçino ndërsa mosha mesatare është 55 vjeç.

Dekani i fakultetit për siguri Nikolla Dujoski tha që të gjithë si shoqëri duhet të kontribuojmë për t’i ndihmuar të njëjtit ndërsa theksoi se integrimet evropiane do të ndihmonin për politika më cilësore.


“Secili prej nesh mund të ndihmojë dhe secili prej nesh mundet që në një periudhë të jetës të gjendet në një krizë të tillë dhe në një gjendje të tillë që t’i nevojitet ndihmë. Pavarësisht nëse do të jetë i pastrehë ose do të ngelet në margjinat e shoqërisë. Gjithsesi unë fuqishëm besoj se përparimi drejt integrimeve evropiane do të thotë edhe zhvillim të politikave më kualitative edhe në këtë fushë, dhe për këtë është mirë që të gjithë ne së bashku kontribuojmë dhe përpiqemi të gjejmë mënyra se si t’i vendosim politikat në mënyrë më të mirë”, tha Nikolla Dujovski – Dekan i Fakultetit për Siguri.

Suzana Tuneva Paunovska nga Kryqi i Kuq në Shkup thotë se kanë mjaftë raste të suksesshme ku kanë arritur risocializimin e personave të pastrehë ndërsa tani po punojnë për rikualifikimin e tyre.


“Duhet të jemi të përgatitur të riorganizohemi sipas sinjaleve nga tereni. Vetëm atëherë do ta arrijmë atë që duam ta bëjmë, e ajo është risocializimi i tyre dhe sërish kthimin e tyre në sistemin e shtetit. Kemi mjaft tregime të suksesshme në 15 vitet e kaluara, diku mbi 15 persona janë riintegruar me mbështetje të qendrave për punë sociale dhe vetëqeverisjes lokale e ajo që për ne është sfidë është që në 12 muajt e ardhshëm kemi një projekt interesant që do të punojmë më tepër në përforcimin e tyre në aftësitë dhe njohuritë e tyre”, pohoi Suzana Tuneva Paunovska – Sekretare e Kryqit të Kuq në Shkup.

Por çfarë ofron pika për qëndrim për të pastrehët? Ministrja për punë dhe politikë sociale Jovanka Trençevska thotë që ato banorë aty i marrin të gjitha trajtimet e nevojshme por nuk mungojnë edhe aktivitete arsimore.

Përskaj qëndrimit të përkohshëm ekziston mundësi edhe për shërbim zhvillimor, qendër ditore me përkujdesje intervenuese ku personat e pastrehë do të marrin trajtim ditor, mirëmbajtje të higjienës personale, aktivitete individuale për fitimin e aftësive punuese, aktivitete preventive, këshillime, edukime, mbështetje arsimore, mbështetje sociale të personave dhe familjeve të tyre dhe aktivitete tjera varësisht nevojave të shfrytëzuesve.”, theksoi Jovanka Trençevska – Ministre për Punë dhe Politikë Sociale.

Trençevska paralajmëroi se me reformat në ligjin për mbrojtje sociale në çdo komunë të Shkupit pritet të themelohet këshill komunal për mbrojtje sociale. Të njëjtat do të kenë për detyrë të përgatitin plan social, detektimin e problemeve sociale dhe grupeve të rrezikuara në komunë.