Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Arjanit Hoxha është optimist se në takimin e sotëm me prodhuesit e duhanit në Qeveri, nikoqiri i të cilit është Kryeministri, Zoran Zaev, do të gjendet zgjidhje për problemet me blerjen e duhanit.
Hoxha nuk është i kënaqur me përparimin e arritur në drejtim të vlerësimit të çmimit mesatar. Ai u tha prodhuesve se puna e tyre do të vlerësohet.
“Unë jam organizatori i takimit me Zaevin me kërkesë të Bordit Nismëtar për protestat e prodhuesve të duhanit. Do të diskutohet e gjithë situata në të cilën ndodhet blerja. Unë besoj se argumentet dhe të gjitha pikëpamjet e shprehura në këtë periudhë kanë për qëllim zgjidhjen e problemit dhe për këtë arsye është edhe ky takim, le të shohim nëse mund të intensifikohet pjesa e zgjidhjes më të shpejtë të mundshme . Realisht, ka një përmirësim, por unë nuk jam i kënaqur me ritmin e këtij përmirësimi si në vlerësimin e duhanit ashtu edhe në çmimin mesatar. Por, meqenëse po shkojmë lart, unë jam akoma optimist se do të arrihet zgjidhje që do të ishte optimale”, tha Ministri, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas llogaridhënien për punën e bërë në 100 ditët e para.
Sipas Hoxhës, ka shumë ankesa nga prodhuesit e duhanit për vlerësimin, veçanërisht për klasën e dytë.
“Asnjëherë më parë nuk ka pasur rekord të tillë. Ka shumë ankesa. Por, kjo është një motiv shtesë që prodhuesit e duhanit të binden se puna e tyre do të vlerësohet dhe se nuk do të jetë në frymën siç është tani nga blerësit. Në këtë fazë, e përsëris, unë jam optimist, ne po i përdorim të gjitha mekanizmat për të gjetur një zgjidhje, ndërsa vijnë edhe rezultatet e para”, theksoi Hoxha.
Lidhur me klasën e katërt, përsëriti se mekanizmat ligjorë për heqjen e saj ekzistojnë, por për këtë do të mendohet mirë dhe duhet të jetë në marrëveshje me prodhuesit në mënyrë që të mos ketë efekte anësore.
Zgjidhje nga takimi i sotëm në Qeveri te Kryeministri Zaev, presin edhe prodhuesit e duhanit. Ata për MIA-n deklaruan se do t’i përsërisin kërkesat e tyre – një vlerësim realist dhe maksimum pesë për qind zbritje gjatë vlerësimit.
Deri më tani, janë blerë 2.5 milionë kilogramë ose dhjetë për qind e rekoltës totale, për dallim nga viti i kaluar kur në këtë kohë u morën 40 për qind ose 13-15 milionë kilogramë.
